Skip to content
Të Gjitha

Nga sot Maqedonia e Veriut hap kufijtë, por ja çfarë duhet të keni me vete për të kaluar pa probleme

· 2 min lexim

Duke nisur nga sot Maqedonia e Veriut ka hapur të gjitha vendkalimet kufitare.

Përjashtim bëjnë aeroportet. Megjithatë, edhe pse kufijtë u hapën, në fuqi mbeten masa sigurie për të kaluar.

Për të hyrë pa pasur probleme në Maqedoninë e Veriut është e detyrueshme të keni me vete një test i vlefshëm PCR, jo më i vjetër se 72 orë.

Mbetet në fuqi po ashtu edhe masa e nënshkrimit “Deklaratë e vetë-izolimit të detyrueshëm për 14 ditë”.

Të gjithë ata që do të hyjnë në vend dhe nuk kanë një test negativ të koronavirusit me kohëzgjatjen e caktuar, do të dërgohen në karantinë shtetërore në kohëzgjatje prej 14 ditësh.

Ky vendim nuk do të vlejë vetëm për turistët e huaj që mund ta jenë në vend tranzit, të cilët duhet të kalojnë për 5 orë në cilindo kalim kufitar.

Ditën e djeshme presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, njoftoi se gjendja e jashtëzakonshme do të zgjaste edhe 8 ditë të tjera, pra deri në 22 qershor.

Vendimi u mor duke pasur parasysh shifrat e larta të raportuara çdo ditë në vend.

103 raste të reja me koronavirus në 24 orë dhe 5 viktima u raportuan vetëm të hënën.

Në total, që prej shpërthimit të pandemisë, në Maqedoninë e Veriut janë prekur më shumë se 4100 persona dhe kanë humbur jetën 193 vetë.

Gjithashtu për shkak të situatës, autoritetet kanë vendosur të shtyjnë për më 15 korrik datën e zgjedhjeve të përgjithshme.