Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin për “Tregjet e Kapitalit”. Një ndër arsyet kryesore është se aktualisht nuk janë përmbushur parakushtet për një zhvillim të suksesshëm të tregjeve të kapitalit.
Sipas Metës, zhvillimi i një tregu të kapitaleve kërkon patjetër plotësimin e parakushteve, adresimin e e standarteve të dobëta të qeverisjes së korporatave.
Ai gjithashtu shprehet se për shkak të problematikave lidhur me harmonizimin e këtij ligji me aktet e tjera ligjore në fuqi, ky ligj duhet të kalojë për mendim pranë Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Meta thekson se miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit në këto momente dhe me këto parashikime që paraqesin problematika si më sipër, bëjnë që nga njëra anë vendi të përballet me riskun që bursa të jetë spekulative dhe jo funksionale, ndërsa nga ana tjetër, dhe aksesi i operatorëve në këtë treg të jetë i cenueshëm, duke mos ofruar garancitë e nevojshme ligjore.
Mungesa e vëmendjes së deputetëve në shqyrtimin e projektligjeve është një ndër pikat ku presidenti Meta u ndal dhe tha: “Duket qartë se debati parlamentar në drejtim të përmirësimit të propozimeve ligjore ka rënë ndjeshëm. Në mënyrë të përsëritur kam evidentuar një cilësi të dobët të procesit ligjbërës prej deputetëve, sidomos referuar harmonizimit të projektligjeve që shqyrtohen dhe miratohen me normat ekzistuese në fuqi në Republikën e Shqipërisë, e veçanërisht me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”.