Ministria e Arsimit ka njoftuar se ditën e djeshme në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA), u zhvillua një takim, ku ishin të ftuar të gjithë të interesuarit, për të diskutuar mbi pretendimet e ngritura nga maturantët në lidhje me provimin e Maturës Shtetërore të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Në përfundim të diksutimit, QSHA vendosi se do të vlerësojë shpërndarjen e pikëve në bazë të rezultateve të nxënësve, si dhe do të konsiderojë heqjen nga vlerësimi përfundimtar i ndonjë pyetjeje specifike që rezulton të ketë pasur nivel më të lartë vështirësie se sa niveli i njohurive të nxënësve.
QSHA e pranon se në tekst ka pasur gabime, por shton se kjo është bërë në mënyrë të qëllimshme.
Sipas tyre, “për të vlerësuar kompetencat gjuhësore të nxënësve.”
Ndërsa shtohet se kjo u është bërë e ditur maturantëve, përmes një fjalie sqaruese, që në fillim të tekstit.
Nga sa njofton Qendra e Shërbimeve Arsimore, përdorimi i teksteve të tilla është një praktikë e përdorur nga hartuesit e testit edhe më parë në testet e Maturës Shtetërore.
Deklarata e plotë:
Ditën e djeshme, në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA), u zhvillua një takim, ku ishin të ftuar të gjithë të interesuarit, për të diskutuar mbi pretendimet e ngritura nga maturantët, lidhur me testin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe letërsisë.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të MASR, QSHA, DPAP, KOMSH, si edhe 20 mësues të Gjuhës shqipe dhe letërsisë nga shkolla të ndryshme të Tiranës, Fierit, Vlorës, Elbasanit etj.
Gjatë takimit u theksua dhe u mbështet nga të gjithë të pranishmit se testi i Gjuhës shqipe dhe letërsisë nuk ka dalë jashtë programit orientues (pra është në pajtueshmëri të plotë me të) dhe nuk ka gabime shkencore.
Lidhur me pretendimin se në test ka gabime drejtshkrimore, QSHA sqaron se ka vërtetë një tekst me gabime, por ky tekst është ndërtuar në mënyrë të qëllimshme i tillë, për të vlerësuar kompetencat gjuhësore të nxënësve. Kjo u është bërë e ditur maturantëve, përmes një fjalie sqaruese, që në fillim të tekstit.
Nga ana tjetër, duhet theksuar se përdorimi i teksteve të tilla është një praktikë e përdorur nga hartuesit e testit edhe më parë në testet e Maturës Shtetërore. Madje, edhe në modelin e prezantuar nga QSHA para disa ditësh, është përfshirë një tekst i tillë.
Ndër të tjera, në takimin e djeshëm u pranua se testi në fjalë ka qenë i përshtatshëm për vlerësimin e kompetencave, duke u bazuar plotësisht në programin orientues dhe në përpjesëtim të drejtë, gjithashtu, edhe me programin e shkollave profesionale.
Në lidhje me përfshirjen në test të poezisë së Lasgush Poradecit, u qartësua se ky autor është i lexuar dhe i studiuar gjatë procesit mësimor në shkollë. Përfshirja e tij në provimin e maturës u është bërë e qartë nxënësve, edhe përmes paraqitjes së tij në testin model, i cili është shpërndarë paraprakisht tek ata. Kjo u ka dhënë mundësi maturantëve dhe mësuesve që të bëjnë përsëritjet e nevojshme mbi veprat e këtij autori, për një përgatitje sa më të mirë të nxënësve në provimet e maturës.
Gjithashtu, u nënvizua se modeli i testit të shpërndarë tek nxënësit paraprakisht, ka qenë shumë i ngjashëm me provimin e “Gjuhës shqipe dhe letërsisë”, si nga teknika e organizimit të pyetjeve, ashtu edhe nga përmbajtja e tyre. Ky fakt do të thotë se nxënësit kanë qenë plotësisht të informuar mbi natyrën e provimit me të cilin janë ballafaquar javën e kaluar.
Përkundër gjithë këtij diskutimi të zhvilluar, QSHA vendosi se do të vlerësojë shpërndarjen e pikëve në bazë të rezultateve të nxënësve, si dhe do të konsiderojë heqjen nga vlerësimi përfundimtar i ndonjë pyetjeje specifike që rezulton të ketë pasur nivel më të lartë vështirësie se sa niveli i njohurive të nxënësve.