Skip to content
Të Gjitha

Kruja vazhdon të jetë zonë “e nxehtë”, shënohen 9 raste të reja me koronavirus

· 2 min lexim

Kjo javë duket se është piku i numrit të të infektuarve me Covid-19 në vendin tonë.

Kruja është një nga vatrat më të mëdha të infeksionit me koronavirus.

Ditën e sotme janë shënuar edhe 9 raste të reja të infektuar me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit.

Mësohet se nga 30 tamponë që janë bërë, 9 kanë rezultuar pozitivë.

Një rast i paprecedentë u regjistrua po ashtu ditën e djeshme në Krujë.

Mjeku imazherist Ardian Mata dhe gruaja e tij, laborante në njësinë vendore të shëndetit publik, refuzojnë karantinimin, edhe pse kjo e fundit ka rezultuar pozitive dy javë më parë.

Lidhur me ngjarjen kanë reaguar drejtuesit e spitalit që i kanë bërë një shkresë Komisariatit të qytetit që të bëjnë karantinimin e detyrueshëm të çiftit të mjekëve.

Në një video të publikuar nga “Report Tv”, mjeku shihet në ambientet e punës, teksa flet me dy punonjës të tjerë, pa ruajtur distancën sociale me njëri-tjetrin, madje njëri nga punonjësit nuk mban siç duhet edhe maskën.

Kujtojmë se dje u shënua një shifër rekord përsa i përket infektimeve me Covid-19, plot 69 raste.

Gjithashtu është rritur edhe numri i personave të shtruar në spital.

Rritja e rasteve ka sjellë frikë te qytetarët, pasi është paralajmëruar edhe rikthimi i karantinës.