Detaje të reja janë zbardhur nga ekzekutimi i Hekuran Billës, të enjten që lamë pas në zonën e Komunës së Parisit.
Mësohet se 40-vjeçari pasditen e së enjtes, kishte takuar disa shokë në qytetin e Durrësit, ndërsa më vonë ka shkuar tek “Komuna e Parisit” në Tiranë, ku u qëllua me breshëri plumbash, disa prej të cilëve e prekën në pjesën e pasme të kokës si dhe në gjoks, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Billa kishte ardhur nga Belgjika vetëm pesë ditë para se të ekzekutohej, teksa “Panorama.al” shkruan se familjarët besojnë se midis telefonatave të asaj pasditeje ishte edhe një femër.
Familjarët kanë qenë të frikësuar vazhdimisht për shkak të hakmarrjes së mundshme nga ana e familjes Marku në Shkodër, me të cilën kishin biseduar herë pas here, por nuk kishin arritur faljen nga ana e tyre.
Të frikësuar ishin edhe ditën e enjte, ku babai i Hekuranit e ka telefonuar të birin për ta pyetur për vendndodhjen, ndërsa ai i ka deklaruar se po shkonte drejt “Komunës së Parisit”.
Edhe vetë i ndjeri, ka qenë i shqetësuar javët e fundit, duke i deklaruar të motrës: “Punët nuk i kemi hiç mirë”.
Gjithashtu ka dyshime se Hekuran Billa është ndjekur para se të vinte në Shqipëri dhe më pas është dhënë informacion për vrasësin.
Policia ka shpallur në kërkim Viktor Markun për vrasjen, por nuk ka ende prova për ta lidhur me ngjarjen.
Viktor Marku është vëllai i 22-vjeçarit Prel Marku të vrarë në një lokal në Angli nga Hekuran Billa.
Autorët kanë zgjedhur ta vrasin 40-vjeçarin Billa shumë pranë familjarëve të tij, njëlloj siç u ekzekutua 22-vjeçrai Marku, në një lokal në Angli.
Nga ana e saj, policia po vijon kontrollet për gjetjen e 34-vjeçarit dhe u ka dhënë njoftim edhe pikave kufitare për të mos lejuar largimin e tij jashtë vendit.
Për vrasjen e tij, Billa u dënua me 34 vite burg, por u la i lirë nga Gjykatat shqiptare, nga e njëjta ‘dorë’ që liroi Endrit Doklen.
Enkelejda Hoxha vendosi që të nxirrte nga burgu edhe Billën, për të cilin drejtësinë e vendosi dikush tjetër, por me një vendim të sajin vendosi lirimin e Billës më shkurt 2019, dhe i dha atij kartën për një jetë të lirë, që nuk do të zgjaste shumë.
Pas daljes nga burgu, Billa nuk kishte lidhje më me “Herland Bilalin” dhe sipas kërkimeve në faqet zyrtare të QKR-së, biznesmeni Hekuran Billa rezulton të ketë aktiv një biznes të tijin në Tiranë “Car rent Albania”, ku jep makina me qira.
Hekuran Billa u ekzektua disa ditë më parë pranë “Qendrës Kristal” në Tiranë, ku kishte shkruar për të takuar motrën e tij që punonte në këtë qendër tregtare.
Në orën 21:48 të së enjtes, biznesmenit iu pre rruga teksa udhëtonte me mjetin e tij, të llojit ‘BMË X6”, nga ekzekutori.
Ky i fundit qëlloi me armë zjarri në drejtim të tij, dhe iu deshën vetëm 3 sekonda për të vrarë biznesmenin.