Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari është përballur ditën e sotme me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Hajdari rrezikon shkarkimin për shkak të disa parregullsive të saj në deklaratën e pasurisë.
Gjatë mbrojtjes dhe shpjegimit të saj për pasurinë para KPK, Hajdari është përlotur.
Mësohet se gjyqtarja është mbrojtur nga avokatët Maks Haxhia dhe Ilira Dane.
Procesi i vlerësimit për gjyqtaren mësohet se po kryhet nga trupa e përbërë nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja.
Vlerësimi i gjyqtares Hajdari është bërë për dy kritere: pasurinë dhe figurën.
Për Hajdarin nuk ka të dhëna pozitive, pasi ka fshehje pasurie, mosdeklarim dhe konflikt interesi.
Ajo ka deklaruar se pas ardhjes në Tiranë ka marrë shtëpi që është te “Vilat Gjermane” që nga viti 1993.
“Kam punuar 12 vite në ministrinë se Drejtësisë, burri im ka qenë deputet.
Aktualisht jetoj në të njëjtën vilë, përballimi i kësaj shume përballohej se burri deputet unë punoja në ministri, plus që kisha dhe vjehrrit që kishin pension.
Veprimet kanë qenë informale.
Unë nuk kam gënjyer asnjëherë në deklarimet e mia”, është shprehur e përlotur Hajdari.
Gjyqtarja Fatmira Hajdari ka shpjeguar edhe arsyen e revokimit të vizës amerikane, diçka që KPK përbën shkak për përfundimin e ushtrimit të detyrës.
“Jam fyer shumë në lidhje me figurën.
Unë nuk kam pasur dijeni. Kurrë nuk më është refuzuar viza.
Më ka marrë Ambasada dhe më kanë kërkuar të paraqitem. Jam paraqitur dhe me kanë thënë të lë pasaportën. E dorëzova dhe ika.
Pas një jave më kërkuan. Komunikoi konsullja me mua dhe tha ‘ju është revokuar viza sepse jeni në proces vetingu”.
Hajdari shprehet e indinjuar edhe në pretendimin e pasurisë nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Ajo ka thënë se të gjitha blerjet janë bërë para se ajo të bëhej subjekt për të deklaruar dhe se kohërat kanë qenë të ndryshme nga koha e tanishme.
“Na keni kthyer 30 vjet pas. Bashkëshorti im ka qenë deputet në vitet 90.
Pas ardhjes në Tiranë kemi marrë një shtëpi tek ish-vilat gjermane.
Në 1993 kam punuar në Ministrinë e Drejtësisë.
Unë jetoj në të njëjtën vilë që ka blerë bashkëshorti im. Kam qenë korrekte në deklarimet e mia.
Të gjitha blerjet janë bërë para se të bëhesha subjekt për të deklaruar. Kemi qenë në një kohë krejt ndryshe. Veprimet kanë qenë informale. Unë nuk kam gënjyer asnjëherë në deklarimet e mia.
Banka më atë kohë shkruante në dokumente fakte të paqena, boll të jepej kredia.
Mua kunati më dha apartament, por unë i thashë dua dyqan, që të mbaj fëmijët e mi.
Kur shkova të nënshkruaj kontratën, pronari më tha: ti do paguash vetëm koston e investimit, pjesën tjetër e keni për familjen tuaj”.