Me mbërritjen e Covid-19 në Europë, që më pas do rikthehej në epiqendrën e virusit, shtetet europiane vendosën të mbyllin kufijtë, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Mirëpo, tashmë që situata duket se po shkon drejt përmirësimit në shumë vende, ka nisur edhe hapja graduale e kufijve.
Disa ditë më parë Ministria e Infrastrukturës informoi se kufiri ajror me Greqinë do hapet më 15 qershor, teksa kufiri tokësor ka disa ditë i hapur.
Së fundmi, ministri grek i Shëndetësisë, Vassilis Kikilias, në një konferencë për shtyp ka publikuar datat për hapjen e kufijëve të vendit, duke deklaruar se 7 pikat kufitare tokësore greke do të hapen më datë 1 korrik dhe jo më 15 qershor, siç edhe ishte deklaruar më parë.
Data 15 qershor vlen vetëm për udhëtim për arsye pune.
Ky vendim vlen për Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që fluturimi që është planifikuar për në datën 15 qershor Tiranë-Athinë nuk do të anulohet pasi bllokimi është bërë vetëm për turistët.
Personat që kanë leje qëndrimi nuk bëjnë pjesë në këtë vendim dhe do të lejohen të kalojnë.
“Ndalimi i fluturimeve nga Italia, Spanja dhe Hollanda do të hiqet më 15 qershor. Shqipëria dhe Shkupi janë të hapura vetëm për udhëtarët me qëllime specifike. Nga Aeroporti i Selanikut, të gjitha fluturimet lejohen, përveç Italisë, Spanjës, Hollandës, Britanisë, Turqisë, Shqipërisë dhe Shkupit. Kalimi i kufirit nga Turqia, Shqipëria, Shqipëria dhe Shkupi nuk do të lejohet më 15 qershor ashtu siç u lajmëruar më parë,”-u tha në deklaratën e ministrit.
Kujtojmë se vendet e Bashkimit Europian kanë vendosur që të mos i hapin kufijtë për vendet e Ballkanit më 15 qershor ashtu siç edhe u vendos nga Këshilli i Europës, por në 1 korrik.
Nga ana tjetër, ditën e djeshme u bën publike edhe datat e fluturimeve të Italisë me Shqipërinë të cilat do të rininisin nga data 16 qershor.