Pasditen e sotme, biznesmenë e pronarë në Velipojë kanë dalë për të kundërshtuar vendimin e prishjes së bizneseve të tyre.
Me lopata në krahë ata shprehen se i kanë ndërtuar bizneset me mund e me djersë dhe nuk lejojnë që t’ua prishin tani, pas më shumë se 13 vitesh.
Mirëpo, aksioni nga IKMT ka vijuar pavarësisht rezitencës, pasi tashmë ka nisur shembjen e biznesit të parë në Velipojë.
Situata është shumë e tensionuar në bregdet, ku siç shihet edhe në video, një vajzë ka humbur ndjenjat dhe një efektiv e ka marrë në krahë, ndërkohë që kërkohet ujë. “A kuku…sillni ujë mor,”– dëgjohet në video.
Njëri prej biznesmenëve është zbritur nga forcat e Policisë, pasi kishte hipur në majë të restorantit të tij, teksa në sfond dëgjohen ulërima dhe të bërtitura të qytetarëve, që shikojnë teksa bizneset e tyre rrëzohen dhe shemben.
Më herët, kryebashkiakja Voltana Ademi ka deklaruar se ky aksion është i paligjshëm dhe do bëjë padi, duke kërkuar që të kalojë dhe ky sezon veror dhe më pas të prishen ndërtimet që mund të jenë pa leje duke marrë parasysh dhe krizën në turizëm.