Këshilli i Lartë Gjyqësor është mbledhur sot për të diskutuar në lidhje me mandatin e Ardian Dvoranit, si gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Relatorja e çështjes Marcela Shehu gjatë seancës u shpreh se Dvoranit i ka mbaruar detyrimi kushtetues për të pritur pasardhësin e tij dhe se qëndrimi në detyrë mbi afate cënon dhe vë në rrezik parimet e Kushtetutës, raporton Abc News.
“Dvoranit i ka mbaruar afati kushtetues për të pritur pasardhësin. Qëndrimi në detyrë mbi afate rrezikon dhe cënon parimet e Kushtetutës“, tha Shehu.
Nga ana tjetër, Alban Toro u shpreh se këshilli duhet të shprehet, të konstatojë mbarimin e detyrimit të Dvoranit për të qëndruar në Gjykatën e Lartë.
Edhe Brikena Ukperaj është shprehur se nuk gjendet asnjë dispozitë që parashikon se Dvorani do të zëvendësohet nga anëtari i parë, i dytë apo i tretë dhe se detyrimi i Dvoranit për të ndërprerë detyrën është kur vjen anëtari i 4-t, i cili duhet të jetë përzgjedhur radhët e juristëve të spikatur.
“Detyrimi i Dvoranit për të qëndruan në Gjykatën e Lartë nuk ka mbaruar. Detyrimi i Dvoranit mbaron në momentin e përzgjedhjes së anëtarit të 4, që vjen nga radhët e juristëve të spikatur”, tha Ukperaj.
Brunilda Kadi u shpreh se, që në datën 13 mars, në momentin që është betuar gjyqtari i parë përpara presidentit, Dvoranit i ka mbaruar jo detyrimi, por e drejta dhe mundësia që ai të qëndrojë në detyrë, dhe ai nuk mund ta ushtrojë këtë detyrë.
KLGJ iu kërkoi mendim ndërkombëtarëve për çështjen e Ardian Dvoranit, pasi presidenti Ilir Meta me dokumente zyrtare kërkonte që ky institucion të shprehej për mbarimin e mandatit të këtij gjyqtari.
Sipas kreut të shtetit, Ardian Dvoranit i ka mbaruar mandati dhe ky post duhet të merret nga një tjetër person.
Dy misionet e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës EURALIUS dhe OPDAT kanë refuzuar të japin opinion lidhur me çështjen e mbarimit të mandatit të kreut të KED, Ardian Dvorani.
Ata thonë se nuk pranojnë të japin opinione për çështje individuale, pasi kjo në rastin konkret është përgjegjësi ekskluzive e Këshillit të Lartë Gjyqësor.