Ka përfunduar takimi i kryeministrit Edi Rama me përfaqësuesit e opozitës së re për Reformën Zgjedhore.
Fokusi i këtij takimi ishte Reforma Zgjedhore, pasi opozita ka deklaruar se nuk do ta votojë marrëveshjen e 5 qershorit në Parlament pa u plotësuar 2 kushtet që kanë, depolitizomi i administratës Zgjedhore dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor.
Në takim ishin të pranishëm tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, Myslim Murrizi, Nimet Musai dhe Edmond Stojku, të cilët mëngjesin e sotëm takuan edhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi për mëse një orë, por nuk u arrit një dakordësi.
Ata paralajmëruan se do të braktisnin të gjitha komisionet parlamentare deri në realizimin e kërkesave të tyre dhe i kishin lënë afat kreut të qeverisë deri mbrëmjen e sotme në 00:00.
Gjithashtu, e pranishme ishte edhe deputetja Rudina Hajdari, e cila në fillim të mbledhjes foli me gjuhën e ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, duke thënë se “topi është në fushën e kryeministrit Edi Rama”.
Pas përfundimit të takimit ata kanë dale në një deklaratë për mediat për të zbardhur se çfarë ndodhi në takim.
Deputetja e opozitës së re, Rudina Hajdari ka deklaruar se do të zotohet deri në fund për të realizuar kërkesat e opozitës së re për ndryshim sistemi dhe lista të hapura.
“Është e pamundur, Rama e di fare mirë dhe ka filluar ta kuptojë, e di marrëdhënien e ngushtë që ka me Bashën, por kjo nuk është çështje e shqiptarëve. Rama duhet të reflektojë dhe të shikojë kërkesat e opozitës parlamentare, marrëveshja ishte gjë tjetër, riktheu opozitën në sistem. Për 30 vite, bëjmë pothuajse të njëjtat gjëra, bojkotojmë, bojkotojmë. Duam që të mos na vijë një Ramë tjetër. Ka ardhur koha për ta bërë këtë ndryshim, do e gjejmë dakordësinë, marrëveshja është diçka tjetër. Zotohem që do luftoj deri në fund për këtë gjë”, tha Hajdari.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama gjatë konferencës pas takimit me opozitën parlamentare ka debatuar me një gazetare, pasi kjo e fundit e ndërpreu.
Duke qenë se kreu i qeverisë ka qejf që vetëm të dëgjohet ai i tha me ton të ashpër të mos e ndërpresë, teksa gazetarja i kërkoi ndjesë.
Gazetarja: Pse nuk pritët dhe opozitën…
Rama: Më fal pse më ndërpret, ç’a ke që më ndërpret, isha duke folur?
Gazetarja: Ndjesë, vazhdoni
Rama: Ndjesa pranohet, vazhdoni ju pyetjen tani.
Pas këtij momenti, kryeministri ka dalë ‘në origjinë’, te batutat e tij pikante, që konsistojnë në ironizimin e kundërshtarëve politikë, ose gazetarëve.
Rama u pyet se përse nuk ua plotëson kushtet edhe këtyre, siç ja plotësoi Bashës, dhe në përgjigje u shpreh se kjo gjë nuk mund të ndodhte.
Pas kësaj deklarate, Rama nisi të bënte dhe batuta me gazetarët, madje njërën prej tyre, e quajti ‘mami’.
Rama: Sepse unë i thashë Bashës të bëjë si të dojë. Por po t’i them edhe Murrizit të bëjë si të dojë, i bie të kemi dy lloj sistemesh. Me gjithë respektin për zotin Murrizi, pavarësisht se keqtrajtohen për shkak të profilit si karagjozë në Parlament, por kjo nuk është risi. Nuk shoh ndonjë dallim të madh intelektuali mesa tyre që ikën dhe këtyre që erdhën. Nuk shoh ndodnjë rënie niveli. Është thjesht një larmi njerëzish. Në Shqipëri nuk ka budallenj kur vjen puna për politikë. Janë popull i stërvitur, kështu që kur u thua deputetëve ngrini kartonin për të vrarë vetën, është pak si ‘too much’.
Pyetje: Do e këmbeni takimin e sotëm me 17 majin?
Unë datë të shënuar di 28-29 nëntorin….Edhe datat e Bajramit janë të lëvizshme. 17 maj të dytë nuk kërkoj dot më sepse jemi në qershor…Pyetje: por nuk donit marrëveshje me ambasadat apo jo?
Jo, pikërisht….Pyetje: Do mbetemi tek zoti Balla tani?
Rama: Ja foli dhe mamia…po prit pra t’i jap përgjigje…do bëjmë pak shaka tani se nuk kemi çfarë bëjmë, ju ju ka zënë halli që të merrni vesh çfarë bëhet, unë do merrem me Myslymin dhe kshu… Basha dhe Opozita donte që toka neutrale të ishte SHBA-ja dhe ne ua dhamë edhe atë mundësi.
Kurse, deputeti i opozitës, Edmond Stojku, ka thënë sot se opozita nuk ka bërë bojkot, por thjesht nuk kanë marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve.
Stojku tha se ai njoh shqipen e Gjon Buzukut, dhe shtoi se opozita nuk ka bojkotuar asgjë.
Stojku: Bojkot është bojkot, ne nuk kemi bërë bojkot kemi marrë pjesë.
Gazetarja: Po bojkot dhe nuk merr pjesë janë e njëjta gjë.
Stojku: Unë njof shqipen e Gjon Buzukut.
Këto deklarata kanë shkaktuar të qeshura tek gazetarët e pranishëm, por dhe vetë deputetët e opozitës nuk e ruajtën dot seriozitetit.