Me një vendim surprizë, Bashkia Skrapar ka njoftuar për hapjen e një tenderi për mjekun e njohur Pëllumb Pipero, duke njoftuar se me rastin e dekorimit të tij si “Qytetar Nderi”, do të shtrojë një drekë simblike për ndër të tij.
Titulli i është dhënë më 28 maj 2020, me propozim të Kryetarit të Bashkisë Skrapar, Adriatik Mema dhe me motivacion: “Për veprimtari të shquar profesionale dhe akademike gjatë gjithë karrierës së tij në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive, si dhe për kontributin e çmuar profesional dhe publik në përballimin e situatës së pandemisë, shkaktuar nga COVID-19”.
Por veç titullit honorifik për mjekun infeksionist, Bashkia Skrapar ka menduar edhe për një drekë, për të cilën ka hapur një tender në Agjencinë e Prokurimeve Publike, objekti i të cilit është: “Organizim dreke me rastin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” z. Pëllumb Piperos”.
Fondi limit i parashikuar nuk bëhet me dije, sikundër nuk dihet nëse në drekë do të jetë ose jo, vetë mjeku, teksa i habitshëm mbetet fakti se të gjithë ofertuesit duhet të paraqesin ofertat për drekën e Piperos.
Në drekë do të jenë të ftuar 60 persona, ndërsa për menunë janë parashikuar tre pjata kryesore, pije dhe fruta.
Ftesa për ofertë iu drejtohet të gjithë të interesuarve, ndërsa tenderi do të zhvillohet më 11.06.2020, në orën 10:30, teksa kriteret që duhet të plotësojë fituesi mbeten mister.
Fitoftë më i miri!