Ditët e fundit u vërtetua fuqimisht se virusi nuk është zhdukur dhe se mos respektimi i masave do kishte pasoja fatale për ecurinë e epidemisë në vendin tonë, në një kohë kur vendi sapo është hapur.
Në ditën me numrin më të lartë të rasteve të reja, mjeku Pëllumb Pipero u bën apel qytetarëve të jenë të ndërgjegjshëm, pasi virusi vazhdon të qarkullojë edhe pse me virulencë të rënë dhe me transmetueshmëri të ulët.
Në një intervistë për ATSH-në Pipero rendit disa arsye që kanë ndikuar në rritjen e shifrave të të infektuarve ditët e fundit:
- Lehtësimi dhe heqja totalisht e masave kufizuese, shtimi i aktiviteteve ekonomike, hapja e bareve, restoranteve, e hoteleve.
- Hapja e aktiviteteve të tjera ekonomike që gjithashtu e shtonte mundësinë për të patur një numër të shtuar.
- Shkujdesjeje që vërehet tek qytetarët në raport me vizitat në mjedise publike, mbajtjen e maskës dhe ruajtjes së distancës fizike dhe ky është një fakt që nuk duhet neglizhua.
- Shtimi i numrit të tamponeve apo analizave.
- Protestat dhe mitingjet.
“Lehtësimi dhe heqja totalisht e masave kufizuese, shtimi i aktiviteteve ekonomike, hapja e bareve, restoranteve, e hoteleve ka një rol të rëndësishëm dhe në këtë aspekt pritej shtimi i numrit të rasteve pozitivë. Së dyti, është edhe hapja e aktiviteteve të tjera ekonomike që gjithashtu e shtonte mundësinë për të patur një numër të shtuar. Koincidoi që krahas me hapjen apo me heqjen e masave kufizuese pati edhe protesta, madje edhe mitingje, të cilat gjithashtu shtojnë mundësinë e kontakteve të ekspozimit, si dhe ndikojnë fort në shtimin e rasteve pozitive. Një arsye tjetër, është edhe një lloj shkujdesjeje që vërehet tek qytetarët në raport me vizitat në mjedise publike, mbajtjen e maskës dhe ruajtjes së distancës fizike dhe ky është një fakt që nuk duhet neglizhuar. Një arsye tjetër, që natyrisht nuk është kryesore, por edhe ajo ndikon, është shtimi i numrit të tamponeve apo analizave, të cilat kryesisht gjurmojnë rastet klinike, por edhe kontaktet e kontakteve. Pra në këtë këndvështrim janë disa indikatorë të rëndësishëm, të cilët na e justifikojnë rritjen e rasteve pozitive”, sqaroi Pipero.
Megjithatë, Pipero ka thënë se rastet pozitive nuk e shqetësojnë, por konsideroi shqetësues faktin që krahas rritjes së numrave të rasteve pozitive ne kemi edhe numra të shtuar të rasteve të shtruar në spital.
Sipas tij, është një situatë që duhet të analizohet, por beson që është e përkohshme.
“Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që virusi vazhdon të qarkullojë edhe pse me virulencë të rënë dhe me transmetueshmëri të ulët. Ky konstatim klinik nga ana jonë tashmë është në një konstatim dhe evidencë e faktuar edhe me studime nga kolegët tanë nga vende të tjera të botës”.
Gjithsesi virusi vijon të qarkullojë dhe të prekë jo vetëm moshat e vjetra, por edhe moshat më të reja, ndaj të gjithë qytetarët Pipero i këshilloi të vazhdojnë të kenë kujdes si në fillimet e kësaj epidemie në vendin tonë.
“Në mënyrë që të mos kemi kthim mbrapa në masa shtrënguese. Kujdes do të thotë të ruajmë distancën fizike dhe të vendosim maska në mjedise publike, krahas kujdesit të vazhdueshëm për higjienën e duarve. Kaq mjafton”, – tha Pipero.
Vetëm në 24 orët e fundit kanë konfirmuar 42 persona me Covid-19, teksa harta është zgjeruar me 21 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 4 në Durrës, 3 në Krujë, 2 në Lushnje, dhe nga 1 rast në Pukë, Berat dhe Ura Vajgurore.
Mes të infektuarve 5 janë personel shëndetësor dhe së fundmi janë shtruar 9 persona tek Infektivi, duke e çuar në 46 numri e të shtruarve, nga të cilët 8 në terapi intensive dhe 1 i intubuar.
Sakaq numri i të shëruarve ka shkuar në 980.