Skip to content
Të Gjitha

Afër apo larg valës së dytë? Rëndohet gjendja te Infektivi: Një çift transportohen me urgjencë, 15 të shtruar në 24 orë

· 2 min lexim

Shtimi i rasteve me Covid-19 në vend ka shtuar edhe numrin e të hospitalizuarve te Spitali Infektiv, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë po marrin trajtim 46 persona.

“BalkanWeb” ka publikuar një video të regjistruar pak minuta më parë, kur një urgjencë e re mbërrin në spital, teksa raporton se bëhet fjalë për një çift të moshuarish rreth 70 vjeç.

Të sëmurët janë pa komplikacione të rënda dhe ata kanë zbritur me këmbët e tyre nga autoambulanca dhe janë futur në Infektiv.

Sipas News 24, para urgjencës së fundit, janë paraqitur në Infektiv 13 pacientë të infektuar me Covid-19 në harkun e 24 orëve, teksa raportohen edhe disa të shëruar që janë nxjerrë nga spitali për në banesë.

Vetëm në 24 orët e fundit kanë konfirmuar 42 persona me Covid-19, teksa harta është zgjeruar me 21 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 4 në Durrës, 3 në Krujë, 2 në Lushnje, dhe nga 1 rast në Pukë, Berat dhe Ura Vajgurore.

Mes të infektuarve 5 janë personel shëndetësor dhe së fundmi janë shtruar 9 persona tek Infektivi, duke e çuar në 46 numri e të shtruarve, nga të cilët 8 në terapi intensive dhe 1 i intubuar.

Sakaq numri i të shëruarve ka shkuar në 980.

Po sot MSH ka publikuar me vonesë humbjen e një jete në spitalin Covid 1, një grua e moshuar mbi 80 vjeç, që sipas MSH ishte asiptomatike dhe vdekja ka ardhur nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Por burime për News 24 pohojnë jashtë kameras se gruaja në momentin e diagnostikuar me Covid 19 nuk ka patur gjendje të rënduar shëndetësore.

Pas infektimit, shëndeti i saj është përkeqësuar në pak ditë me insuficencë të theksuar respiratore tipike shenjë e Covidit, duke përfunduar në reanimacion, ku pas 3 ditësh ndërroi jetë.

Kujtojmë se ministrja Ogerta Manastirliu ka bëri me dije se nëse në spitalin Infektiv numri i të shtruarve shkon në 80, atëherë vendi ynë do bëjë hapa pas, duke u rikthyer te izolimi.