Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë në Universitetin e Tiranës ka vendosur që të shtyjë afatin e pagesës së tarifës shkollore për studentët.
Në një njoftim zyrtar, FHF njofton se në urdhrin më të fundit që mban firmën e dekanit, Sabri Laçi, thuhet se për studentët e vitit të tretë Bachelor dhe atë të viteve të dyta të programeve Master që do të diplomohen në sesionin e korrikut të marrin masat që të përmbushin detyrimin e pagesës së shkollimit deri me datë 10 korrik 2020.
Ndërkohë studentët e vitit të parë dhe të dytë të programeve Bachelor dhe ata të vitit të parë të programeve Master duhet të kryejnë pagesën e tarifës deri më datë 15 shtator 2020.
Ky është fakulteti i parë që ka ndërmarrë këtë hap, por studentët nuk janë të kënaqur, pasi kanë kërkuar anulimin e plotë të tarifës me argumentin se nuk kanë bërë mësim në kohën e pandemisë.
Madje, në internet po qarkullon një peticion, i cili kërkon anulimin e tarifës për këtë vit akademik dhe deri tani është firmosur nga mijëra studentë.