Ditën e sotme Ministria e Shëndetësisë deklaroi se numri i personave të infektuar me koronavirus në vendin tonë u rrit ndjeshëm brenda 24 orëve të fundit.
Pas shtimit të pacientëve, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vizitoi ditën e sotme stafin mjekësor të spitalit Infektiv në QSUT.
Teksa i shprehu mirënjohje për kontributin e tyre, ministrja theksoi se është besimplotë tek puna e bluzave të bardha që nga dita e parë e shpalljes së pandemisë.
Nga ana tjetër shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, Najada Çomo raporton se për herë të parë në këtë repart një pacient ka dalë nga intubimi.
Sipas Çomos dalja nga intubimi ka qenë mjaft e vështirë për pacientët me koronavirus.
“Aktualisht situata epidemiologjike na referon disa momente të rëndësishme të cilat vlejnë për t’u analizuar.
E para që në këto dy javë që sigurisht është edhe një efekt i hapjes dy javë më parë, ka raste simptomatike më shumë të shfaqura se dy javë më parë. Virusi ekziston, nuk është zhdukur, pavarësisht se të gjithë e duam të eliminuar.
Por ne duhet që të vijojmë të bëjmë detyrën tonë, si Ministri Shëndetësie, ju si mjekë padyshim”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë bëri apel për qytetarët për respektimin e masave të distancimit fizik, për të kufizuar përhapjen e COVID19.
“Jemi përpara hapjes së transportit publik, që është një risk tjetër që duhet të marrim parasysh, ku vendosja e maskave është e detyrueshme, kushtet e higjienës patjetër.
Por në të gjithë aktivitetet duhet të jetë ky kujdes, jo vetëm në ato të cilat do të lejohen të hapen.
Gjatë 3-4 ditëve të fundit kemi një shtim të numrit të rasteve, pra paraqitja e 10 pacientëve në ditë për shërbim dhe për t’u hospitalizuar është shifër që duhet marrë në konsideratë.
Është për t’u vlerësuar që ky shtim i rasteve shoqërohet me raste të rënduara, ku mbizotëron Tirana.
Kur ke pacientë në terapi intensive do të thotë që situata është realisht për t’u tërhequr vemendja e popullatës, për shkak se është e vërtetë që është ulur vëmendja.
Nuk janë vetëm moshat që janë me sëmundje kronike të shtruar në shërbimin infektiv, por aktualisht ka mosha të reja që janë në terapi intensive dhe kuptoni çdo të thotë të jesh në terapi intensive në një moshë shumë të re.
Por desha të ndaj edhe një lajm shumë të mirë me ju sot. Për herë të parë nga ne kemi një pacient të ekstubuar, një 71-vjeçar që ka dalë nga intubimi, falë punës së madhe të gjithë shërbimit infektiv”, pohoi ajo.