Ragip Hajdinit, i ashtuquajturi ndryshe si “Daja”, ndërroi jetë ditën e sotme në mënyrë të mistershme.
Në media u raportua se ai vuante nga një sëmundje e rëndë.
Nga ana tjetër, avokati i të ndjerit, Baftjar Rusi, ka deklaruar se familjarët e tij do të bëjnë kallëzim penal për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe burgun 302.
Avokati u shpreh se Hajdini ankohej shpeshherë se kishte dhimbje në shpatull, por kjo gjë nuk ishte marrë parasysh kurrë.
Sipas Baftjar Rusit, atë e kishin dërguar në spital për të kryer një ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale, në momentin kur gjendja e tij ishte kritike.
“Përpara të gjithave jemi njerëz dhe tek ne ka humbur sensi i të qenit njeri.
Ai nuk është trajtuar si njeri. Do përgatisim një kallëzim ndaj burgut 302 dhe drejtorisë së burgjeve.
Të afërmit janë të revoltuar pasi deri në momentin që burgu 302 është ngritur në revoltë, atij nuk i është dhënë ndihma, nuk është konstatuar shkaku pse ai njeri vuante dhe pse kërkonte me ngulm t’i nënshtrohej vizitave sepse kishte dhimbje të rënda në shpatull.
Për 2 muaj është trajtuar në mënyrën më çnjerëzore dhe më të paimagjinueshme. Pasi u ngritën në protestë të tërë e çuan në spitalin e traumës.
Kur e çuan atje sëmundja kishte avancuar. Kufijtë ishin të mbyllur për shkak të pandemisë dhe të afërmit nuk mund të vinin. U vendos të bëhej ndërhyrja kirurgjikale.
U hap në bark pasi kishte një masë të madhe që i bllokonte të gjithë metabolizmin dhe funksionimin e organizmit. Pas hapjes i plasën të gjitha lëngjet, likidet në sipërfaqe të trupit. Nuk i funksionuan më organet”, u shpreh avokati i të ndjerit.
Rusi tha se është në pritje të ekspertizës mjekësore për të depozituar kallëzimin penal.
“Daja” ishte një prej grupit të akuzuar për grabitjen e milionave në Rinas rreth një vit më parë, por ai mohonte çdo akuzë.