Pas tërmetit gjatë natës, lëkundje të forta në Durrës dhe Tiranë u ndjenë edhe këtë pasdite të cilat ngjallën panik te banorët.
Sipas IGJEUM magnituda e tërmetit ishte 4.2 e shkallës Rihter me epiqendër Gjirin e Lalëzit dhe thellësi 6 km.
Pasi banorët e kryeqytetit dhe Durrësit u frikësuan, kanë reaguar menjëherë specialistët.
Sizmiologu, Llambro Duni, nga IGJEUM në një lidhje telefonike për Ora News tha se ka qenë një tërmet i cekët dhe kjo ka bërë që të ketë ndjeshmëri në një rajon të gjerë.
Duni tha se tërmeti ishte me magnitudë 4.2 i shkallës rihter dhe me thellësi 6 kilometër nga sipërfaqja e tokës, duke shtuar se qytetarët nuk duhet të kenë frikë pasi lëkundje të tilla mund të shkaktojnë dëme vetën në ndërtesa shumë të dëmtuara.
“Këto janë pasgoditje të tërmetit të nëntorit. Ishte tërmet me magnitudë 4.2 i shkallës rihter dhe me thellësi 6 kilometër. Lëkundjet dallohen edhe në sipërfaqe dhe çlirimi i energjisë ndodh ku ajo gjen një pikë më të dobët. Ngjarje të tilla janë normale. Nuk medoj se duhet të kemi frikë nga këto lëkundje. Ato mund të shkaktojnë dëme vetëm në struktuara që janë shumë të dëmtuara”, tha ndër të tjera sizmiologu Llambro Duni.
Nga ana tjetër edhe sizmologu i njohur Rexhep Koçi ka reaguar pas tërmetit në një lidhje telefonike për mediat, ku qetësoi qytetarët duke u shprehur se nuk ka vend për panik, pasi janë pasgoditje të tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit të vitit të kaluar që shkaktoi 51 viktima.
“Lëkundja është regjistruar pranë zonës së Fushë Krujës. Zona vijon që të jetë aktive. Kanë qenë rreth 9 goditje në orët e fundit, janë pasgoditje që vazhdojnë. Po përjetojmë një periudhë të gjatë pas datës 26 nëntor. Nuk ka vend për panik, është një periudhë që shoqëron tërmetin e datës 26 nëntor” tha Koçi.