Gazetari Artan Hoxha në studion e “ABC News” ka folur për atentatin e tretë që u krye ndaj Ardian Çapjas, mëngjesin e sotëm në qytetin e Elbasanit.
Sipas gazetarit, në këto lloj atentatesh, snajpersitët janë qitës jo të zakonshëm, pra janë qitës të specializuar, teksa theksoi se të 3 atentatet ndaj Ardianit kanë ndodhur në orën 09:00 të mëngjesit.
Më tej ai tregoi se 55-vjeçari është drejtuesi i një familje që ka gati dy dekada që i ka mbijetuar shumë konflikteve.
“Truri i fisit Çapja, kush mund të realizojë një qitje me 250 m distancë. Zakonisht snajperat godasin objektivat e vështirë. Zgjidhet një snajperit për këto lloj goditjesh. Snajperistët janë ish ushtarakë ose ish pjesëtarë të forcave speciale. Aktualisht janë 3 snajperistë në gjithë Shqipërinë. Në këto lloj atentatesh snajpersitët janë qitës jo të zakonshëm, janë qitës të specializuar, që masin edhe shpejtësinë e erës kur qëllojnë dhe kanë parasysh edhe elementë të tjerë, që ata e masin për të realizuar një qitje të saktë. Çapja është i ruajtur, është drejtuesi i një familje që ka gati dy dekada që i ka mbijetuar shumë konflikteve. Kemi të bëjmë me njerëz që s’mund t’i atakosh kollaj. Të tre atentatet e Çapjas janë të organizuara rreth orës 9, me sa duket është orari që mund ti favorizojë qitësit. Të gjitha tentativat për t’i eliminuar nga afër kanë dështuar për shkak të një gabimi që nuk e kanë llogaritur mirë”, tha Hoxha.
Duke folur në Abc News Hoxha është shprehur se të gjitha tentativat për t’i eliminuar këta persona nga afër kanë dështuar, për shkak të një gabimi që nuk është llogaritur mirë, duke sjell në vëmendje një gomiseri që ishte aty pranë dhe personi që ndodhej aty reagoi sipas Hoxhës në kohë.
Po ashtu, Hoxha shton se nga njohuritë që ka, kemi të bëjmë me grupe që kanë potencial të madh ekonomik dhe nuk burojnë nga brenda Shqipërisë.
Artan Hoxha thekson gjithashtu që Policia nuk u lajmërua nga familjarët, por nga spitali.
Duke folur për bandat në Elbansan, gazetari tha se aftësitë për të korruptuar shtetin i bëjnë këto grupe të fuqishme.
“Problem i madh në Elbasan është se aty ka pasur një kooperim grupesh. Është fuqi ekonomike, burimet njerëzore që korruptojnë shtetin dhe i bën ata të fuqishëm . Çelat nuk kanë fis, nuk janë si Çapjat. Kam nxjerrë me fakte që Çapjat ishin me kryeministrin. Zgjedhjet në Elbasan i kam ndjekur kohët e fundit, të gjitha degëzimet në Shqipëri të çojnë në Elbasan”, u shpreh ai.
Gjithashtu ai theksoi se kriminaliteti bëhet me atë që i ofron bashkëpunim, mbrojtje dhe mundësinë për të bërë para.
Gazetari u shpreh se deri vonë ata kanë qenë mbështetës të PD por në dy zgjedhjet e fundit ata kanë qenë mbështetës të LSI, teksa kanë publikuar edhe foto me Ramën.
Kjo tregon, sipas tij, se kriminaliteti nuk ka ngjyrë.
“Deri vonë ata kanë qenë mbështetës të PD por në dy zgjedhjet e fundit ata kanë qenë mbështetës të LSI. Kjo tregon se kriminaliteti nuk ka ngjyrë, ai bëhet me ato që i ofron mundësinë për të bërë para. Në Elbasan nuk bashkëpunohet me policinë. Kur është pyetur sot, familjarët kanë thënë se ra nga çatia. Kjo do të thotë se ata nuk kanë besim tek Policia”, tha Hoxha.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në zonën e Krastës në Elbasan, ku Ardian Çapja, pronari i një sërë bizneseve në Elbasan ka rënë pre për herë të tretë e një atentati, ku është qëlluar me snajper, por nuk është arritur që të eliminohet.
Ai është plagosur në shpatullë dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë.
I plagosur ka ngelur edhe një zjarrfikës i cili ka tentuar të shuajë flakët tek makina e djegur e autorëve, por aty është përballur me shpërthimin e disa fishekëve.