Problemi i djegies së plehrave të qarkut Durrës në Manëz nuk është një problematikë që shfaqet papritur, pasi për të është folur prej më shumë se një viti, madje janë zhvilluar edhe protesta sporadike.
Megjithatë duket se banorëve të Manzës u ka ardhur në majë të hundës me to dhe dje janë ngritur në protestë, duke bllokuar rrugën ku kalojnë kamionët me mbetje.
Me dhjetëra banorë janë ngritur në protestë dhe kanë paralajmëruar për përshkallëzim të saj nëse nuk merren masa që mbetjet urbane të Durrësit të mos derdhen më në Manzë, ku edhe u vihet flaka duke shkaktuar një masakër ndaj ambientit dhe shëndetit të banorëve.
Kazanët e mbeturinave të tejmbushura ka bërë që disa qytetarë në Durrës të dalin, gjatë natës, ku plehrave u vihej flaka duke krijuar tym të dendur, erë të rëndë dhe një ndotje mjedisore duke dëmtuar dhe shëndetin e banorëve të qytetit.
Pas zhurmës së shkaktuar dhe rezistencës së banorëve, autoritetet kanë gjetur mënyrën e duhur për t’i shpëtuar skandalit dhe jo për të zgjedhur problemin që shqetëson banorët, dhe tashmë po bëhet dhe groposja e mbeturinave pas djegies së tyre.
Me mjete të rënda kanë gërmuar kodrën dhe të gjithë dheun e nxjerrë prej saj e kanë përdorur për të mbuluar plehrat.
Siç shihet dhe nga pamjet e publikuara nga Dosja.al, jo të gjitha plehrat janë mbuluar dhe jo vetëm që nuk është zgjidhur asnjë problem, por është shtuar dhe një tjetër: Gërryerja e kodrës.
Siç lënë të kuptohet këto pamje, autoritetet duan vetëm një zgjidhje për të shpëtuar nga problemet mediatike, dhe nuk iu intereson aspak se çfarë i ndodh mjedisit, dëmtimeve që ai pëson, erozionit apo dëmit që u shkaktohet banorëve.
Ajo që na bën përshtypje në gjithë këtë situatë është heshtja e Ministrisë së Mjedisit, që supozohet të jetë instanca më e lartë mbi këto probleme, por kujtohet të flasë për mjedisin vetëm në ditën e Tokës.
Që nga nisja e skandalit, djegia e plehrave në Manëz, e deri tani me gërryerjen e kodrës, ministri Blendi Klosi vijon të heshtë e mos të marrë përgjegjësitë që i takojnë.