Pak ditë më parë drejtoresha e Kufirit dhe Emigracionit Enkelejda Toska dhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni, u shkarkuan nga detyra pas publikimit të skandalit në media në lidhje me për trafikimin e arabëve nga vendet e lindjes përmes Shqipërisë në Perëndim.
Zyrtarët e tjerë të pezulluar janë Altin Hasani, Shefi i sektorit Besnik Zela, Shefi i sektorit, Albana Metko, Shefe e Seksionit, Adelina Lita, specialiste.
Bashkëshorti i Toskës, Sami Hoxha po ashtu rezultoi pjesë e grupit merrej me këtë veprimtari.
Enkelejda Toska mbante detyrën e drejtoreshës së Kufirit dhe Emigracionit që prej muajit shkurt të vitit 2018.
Skandali u publikua nga “Top Story”, e ndërsa arrestimet kanë vazhduar edhe ditën e sotme.
Policia bën me dije se në kuadër të operacionit “Toka e premtuar”, janë arrestuar dy persona të tjerë e ndërsa 6 janë në kërkim.
Të ndaluarit janë S. Y. 41 vjeç nga Palestina dhe S. C. 41 vjeçe.
Kjo e fundit, supas “ABC News”, është motra e drejtoreshës së Kufirit dhe Emigracionit Enkelejda Toska.
Kjo e fundit, bënte të mundur ardhjen në Shqipëri në mënyrë të organizuar, të personave që ishin kryesisht me origjinë nga Lindja e Mesme dhe nga vendet e Afrikës Veriore.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni i koduar “Toka e premtuar”.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, i ndjekur me metoda speciale të hetimit.
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Ndalohen 2 shtetas dhe shpallen në kërkim 6 shtetas të tjerë.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 njësi kompjuterike, 2 aparate celular, disa leje qëndrimi të shtetasve të ndryshëm, fatura bankare, mandate tërheqjeje shumash monetare nga agjencitë e transfertave të parave.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Toka e premtuar”, në kuadër të të cilit u ndaluan shtetasit S. Y., 41 vjeç ( shtetas palestinez ) dhe S. C., 41 vjeçe.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet kompanive konsulente, bënin të mundur ardhjen në Shqipëri në mënyrë të organizuar, të personave dhe grupeve të personave, kryesisht me origjinë nga Lindja e Mesme dhe vendet e Afrikës veriore.
Shtetasit e këtyre vendeve, të cilët vinin në Shqipëri, nëpërmjet veprimeve të shtetasve të ndaluar, të cilët u krijonin lehtësira për hapjen e bizneseve të ndryshme në Shqipëri, kryesisht fiktivë dhe pa veprimtari financiare, arrinin të përfitonin leje qëndrimi në vendin tonë. Këta shtetas, pas qëndrimit të përkohshëm në vendin tonë, arrinin të kalonin drejt vendeve të BE-së.
Në kuadër të këtij operacioni janë shpallur në kërkim nga Policia edhe 6 shtetas, të cilët dyshohet se janë bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale, por, për arsye hetimi, nuk i bëjmë me dije gjeneralitet e tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale ‘’Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit’’ dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.