Kryeministri Edi Rama, i ftuar në “Opinion”, ka premtuar se biznesi i vogël deri në vitin 2029 nuk do të paguajë asnjë taksë.
Rama tha se kjo nuk është vetëm një premtim i qeverisë së tij, por se do të ligjërohet shumë shpejt.
“Mund t’ju them sot, mbase është lajm për faqen e parë, ne po punojmë dhe një nga gjërat që mund të thuhet është se do ta ligjërojmë që biznesi i vogël, që krijon punë do t’i heqim taksat deri në vitin 2029. Zero! Shumë shpejt do të ndajmë nëse do të heqim edhe TVSH komplet, apo jo. Probabilisht po, por do ta kalkulojmë deri në fund,”-tha Rama.
Kreu i qeverisë ka folur sot edhe për Reformën Zgjedhore, duke thënë se marrëveshja është gati dhe tashmë topi është në anën e opozitës.
I pyetur edhe për votën e emigrantëve në zgjedhjet lokale dhe parlamentare, Rama tha se procesi ka nevojë për kohë të gjatë që të shqyrtohet dhe nëse do të jetë i mundur do të aplikohet edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Sakaq, Rama e ka cilësuar një eksperiment të dështuar kërkesën e Partisë Demokratike për një qeveri teknike të krijuar për menaxhimin e zgjedhjeve.