Kreu i PD, Lulzim Basha priti sot në takim Monika Kryemadhin, Shpëtim Idrizin dhe Fatmir Mediun në selinë blu për të diskutuar rreth Reformës Zgjedhore.
Pas dy orë e gjysmë konsulta, takimi ka përfunduar teksa jashtë, Kryemadhi, Petrit Vasili dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi janë parë nën shoqërinë e njëri-tjetrit, duke biseduar “kokë më kokë”.
Ajo që bie në sy edhe ditën e sotme është dora e fashuar e Kryemadhit, e cila dje në takimin konsultues mes aleatëve, ka tërhequr vëmendje me gjendjen e saj fizike.
Kryemadhi është parë duke çaluar dhe me dhimbje në fytyrë edhe pse në një moment u ka buzëqeshur dhe ka përshëndetur me dorë gazetarët, teksa është vënë re se njërin kyç, e ka të fashuar.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim tha dje se topi tashmë është në fushën e Bashës dhe pritet vetëm vendimi i tij për të arritur konsensusin në Këshillin Politik dhe për finalizimin e Reformës Zgjedhore.
Nga ana tjetër, kryedemokrati deklaroi menjëherë pas Kim se vetëm një çështje ka mbetur pa u zgjidhur, depolitizimi i administratës zgjedhore.
Palët politike shkelën më 31 maj afatin e vetëdakordësuar dhe prej 4 ditësh janë 3 ambasadorët, Yuri Kim, Duncan Norman dhe Luigi Soreca që po tentojnë të bindin palët për një marrëveshje.