Ditën e sotme Kuvendi ka miratuar projektligjin për Eurobondin, duke i hapur rrugë Ministrisë së Financave për të dalë në tregjet ndërkombëtare dhe për të marrë 650 milionë euro borxh.
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi njoftoi pranë fundit të seancës se presidenti Ilir Meta kishte dërguar pranë Kuvendit letrën që jepte dritën jeshile marrjes së borxhit.
“Në mbështetje të rezerva që Presidenti i Republikës kishte, i kam kërkuar komisionit të ekonomisë për t’i shqyrtuar të gjitha sugjerimet që Presidenti kishte dhe sic ju njoftova në fillim të seancës të gjitha sugjerimet e bëra i ka kthyer në amendamente të cilat zyrtarisht është njoftuar presidenti nëpërmjet një shkrese zyrtare nga kryetarja e komisionit dhe sapo ka mbërritur pëlqimi i Presidentit”- u shpreh Ruçi.
Ditën e djeshme presidenti Ilir Meta doli kundër eurobondit, duke theksuar se ligji nuk është urgjent duke kërkuar ndryshime, të cilat i kishte parashtruar qartë në 4 argumenta.
Mësohet se drafti ka pësuar disa ndryshime në momentin e fundit, që nuk janë bërë me dije për publikun, pasi gjatë votimit nuk është folur rreth kësaj.
Sipas Dosja.al, ndryshimi i mendimit nga Meta ka ardhur pas kulisave me Reformën Zgjedhore, pasi siç e pranoi kryedemokrati Lulzim Basha, marrëveshja në parim është arritur por ka mbetur pa u ezauruar vetëm një pikë për Administrimin Zgjedhor.
Partia Socialiste e ka pranuar propozimin e opozitës që komisionet të kenë këtë përbërje: 1 komisioner zgjedhor jopartiak, 2 anëtarë- vëzhgues nga maxhoranca, 2 anëtare – vëzhgues nga opozita, por kreu i LSI Monika Kryemadhi kërkon që nga 2 anëtarët- vëzhgues të opozitës, njëri të jetë i LSI.
Mesa duket, një ‘po’ e Metës për borxhin, pasohet nga për një ‘ok’ që LSI-ja të ketë vëzhguesit e saj në zgjedhje.