Një ngjarje e rëndë e bërë publikisht në media disa ditë më parë, ka tronditur opinionin publik shqiptar.
Abaz Doka, 65 vjeç përdhunoi një 15-vjeçare dhe videon e aktit intim e kishte shpërndarë me tre të rinj, të cilët e shantazhonin vazhdimisht atë të kryente marrëdhënie seksuale edhe me ta.
Sipas “Iconstyle”, emisioni “Me zemër të hapur” ka publikuar edhe videon e minorenes duke u abuzuar seksualisht, gjë kjo që është e pafalshme nga ana e institucioneve përkatëse, më saktë AMA.
Babëzia për klikime arriti deri aty ku nuk u pyet më as për humanizëm. Jeta e një vajze po nëpërkëmbet në momentet kur ajo ka më shumë se kurrë nevojë për mbështetje dhe drejtësi.
Autoritetit të Mediave Audiovizive i bëhet thirrje urgjente të reagojë për t’i hequr përgjithnjë vizën një emisioni të tillë që nuk ka asnjë vlerë televizive dhe as edukative.
Është e turpshme të kërkosh të bësh famë me jetën e një viktime të dhunës seksuale, duke i publikuar asaj videon e makthit. Një video përdhunimi e transmetuar në sy të babait të vajzës dhe gjithë Shqipërisë me pamje të sfumuara por që dallohen qartë dhe të therin në shpirt kur i sheh, është absurde, aq më tepër që emisioni transmetohet në mesditë, ora 12:00.
Sipas “Iconstyle”, kjo nuk është hera e parë që “Me zemër të hapur” bën gafa të tilla, pasi edhe në 2017-n, transmetoi videon e një gruaje të re e cila ishte kapur në shtat me të dashurin e saj, ndërkohë që me titra shkruante “kryen veprime të turpshme në sy të fëmijëve”.
Emisioni shkoi deri aty saqë identifikoi gjyshin e dy të fëmijëve 5 dhe 9 vjeç, duke e ftuar në studio dhe duke publikuar fytyrat e mbuluara të dy miturve.
Asokohe emisioni u gjobit me shumën 200 mijë lekë të rinj nga AMA, por me sa duket stafi i emisionit nuk po vë mend!
Mjafton të klikosh në YouTube titullin e tij dhe aty do të dalin lloj lloj skandalesh dhe absurditetesh që jo vetëm që nuk kanë përse të transmetohen, por që pretendohen të zgjidhen me analistët e emisionit. NUK quhet GAZETARI kur tenton shikueshmëri me tituj që mjafton të përmendin fjalët “Skandal”, “Virgjëri”, “Dashnor” dhe misioni u krye!
Etika e gazetarisë ka marrë fund dhe autoritetet duhet të reagojnë sa më parë për ta mbyllur këtë palaçollëk që as nuk informon e as argëton, por vetëm prodhon meme në rrjetet sociale dhe turpëron gazetarinë shqiptare!!