Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi Kuvendi votoi Avdullah Hotin si kryeministrin e ri, duke iu drejtuar qytetarëve përmes një video në Facebook.
Kurti ka numëruar disa nga sukseset e qeverisjes së tij, në këto 4 muaj, ku ka marrë 213 vendime në 39 mbledhje që sipas tij e kanë bërë shumë më të mirë politikën në Kosovë.
“Sot janë bërë katër muaj që jam zgjedhur kryeministër, kurse nesër më nuk do të jem në këtë zyre.Katër muaj qeverisje e mirë, 39 mbledhje të mira të Qeverisë. 213 vendime që e kanë bërë shumë më të mirë politikën në Kosovë. Dua t’ju falënderojë të gjithë juve për mbështetjen, administratën publike për punën, kabinetin qeveritar për mbështetjen dhe këshilltarët e mi për sugjerimet e tyre”, ka thënë ai në video.
Kurti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë dhe më e madhe në vend e Kuvend, kurse qeverinë e re e ka cilësuar si ‘qeveri koti dhe të paligjshme’.
“Kemi dëshmuar se është e mundur të qeverisim pa Listën Serbe dhe duke mos u varur prej saj. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm. Kjo qeveri është e paligjshme. Kjo është qeveria koti. Ne jemi alternativa”, thotë ai.
Në fund të videos, Kurti ka paralajmëruar rikthim në pushtet, teksa ka bërë të ditur se nesër nuk do ta bëjë pranim-dorëzimin te Hoti.
“Nesër nuk do ta bëjë pranim-dorëzimin sepse nuk mund ta pranoj atë që e shkarkova. Do të kthehemi përsëri dhe shumë shpejt”.
Sikundër ishte parashikuar Avdullah Hoti nga radhët e Lëvizjes Demokratike të Kosovës u votua sot me 61 vota pro, 24 kundër dhe vetëm një votë abstenim, duke marrë votëbesimin e Kuvendit dhe tashmë do të drejtojë qeverinë e re.
Më 28 maj Gjykata Kushtetuese në Kosovë tha se nuk do ketë zgjedhje të parakohshme,duke e quajtur të drejtë vendimin e presidentit Hashim Thaçi për t’i dhënë mandatin për formimin e qeverisë së re Avdullah Hotit nga radhët e Lëvizjes Demokratike të Kosovës.
Kujtojmë se vendimi i Thaçit ishte ankimuar nga lëvizja Vetëvendosje, e cila refuzoi të dërgonte një emër tjetër për kryeministër pas rrëzimit të qeverisë Kurti në Kuvend dhe që kërkonte mbajtje të zgjedhjeve të reja.
Trupa gjykuese ka marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër.
Të gjitha partitë politike përveç LVV kanë kërkuar formimin e një qeverie të re, ndërsa kanë theksuar se do të pranojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Thaçi mandatoi më 30 prill Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të formuar një qeveri të re dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e veprimit të presidentit.