Deputeti Myslim Murrizi ka marrë fjalën në Kuvend pas kryeministrit Rama. Ky i fundit e përmendi në fjalën e tij deputetin, ndaj edhe menjëherë pas mbarimit të fjalimit, Murrizi nuk i ka kursyer asnjë fjalë.
Ai ka nisur me tone ngacmuese duke i thënë se herë i ngjante si Ismail Qemali kur e shihte nga afër, e herë si Skënderbeu kur e shihte me syrin e Elisës.
Deputeti Murrizi i ka thënë Ramës se në Tiranë e ka sjellë mamaja që i punonte sekretare Byroje ndërsa ai ka ardhur vetë me forcat e veta.
Po ashtu deputeti ka shtuar se Ramës i doli zemra nga kraharori dhe i doli veshka vendit deri sa prishi Teatrin Kombëtar.
Murrizi ironizoi Ramën duke thënë që “me siguri po mos ishte ai as Turqia nuk do shpëtonte nga pandemia”.
“Unë kam ardhur vetë në Tiranë, juve ju ka sjellë mami sekretare Byroje.
Ajo që mora vesh sot këtu është që ju shejtanë komentoni me njëri-tjetrin nëpërmjet bizneseve për ta prishur apo jo godinën e teatrit.
U kënaqa që nga kujdesja dhe masat që ka marrë Rama, paska shpëtuar Turqinë dhe po të mos kishte qenë ky, koronavirusi do kishte bërë namin në Ankara”, u shpreh Murrizi.
Ai iu drejtua edhe Spiropalit duke e lutur t’i kërkojë ‘Skënderbeut të saj’ të paktën të mos prishë piramidën.
“I plasi zemra nga kraharori, i doli veshka vendit, o e prishte teatrin o s’ka.
Ik Elisa, thuaji t’i shembi të gjitha nga Muzeu tek Bashkia, vetëm piramidën dhe presidencën jo se i kanë ndërtuar rusët, aman o Elisa, vetëm piramidën mos ta shembi”, mbylli fjalimin e tij deputeti Murrizi.