Gjatë mbledhjes në selinë blu, opozita mes të tjerash doli në përfundimin se “janë lënë jashtë ndihmës financiare 750 mijë qytetarë”.
Referuar deklaratave të PD-së, kryeministri Rama nuk ka vonuar të bëjë një status ironik në Twitter, ku shkruan se para epidemisë, PD-ja denonconte largimin e shqiptarëve nga vendi dhe faktin që ishin të papunë, ndërsa tani, sipas denoncimeve të opozitës, shumë janë të punësuar dhe presin pagat.
Pra, sipas logjikës së kryeministrit akuzat se shqiptarët janë larguar nga vendi nuk janë të vërteta, po aq sa s’janë të vërteta akuzat se mijëra qytetarë nuk kanë përfituar ndihmë financiare.
Në fund, kreu i qeverisë nuk harron të shtojë edhe ironinë ‘7*7’ që e përdor gjithmonë për t’ju përgjgjur Lulzim Bashës.
“Para epidemisë kishim vetëm të papunë e të gjithë kishin ikur nga Shqipëria! Tani paskemi vetëm punëtorë e të varfër që duhen paguar, po t’i mbledhësh siç i numëron PD bëhen 2 milionë! Plus fëmijë, studentë,pensionistë,shtëpiake, s’paska ikur kush nga Shqipëria #VajMedetPD 7X7?”- shkruan Rama.
Mirëpo, ndonëse tabela e shumëzimit mund të jetë pika e fortë e kryeministrit, duket se nuk është shumë i informuar rreth shqiptarëve të larguar nga vendi dhe këtë fakt e ka provuar shpesh herë, duke mohuar se Shqipëria po braktiset.
Nëse u hedhim një sy të dhënave të publikuara nga INSTAT gjatë vitit 2019, vëmë re se diaspora shqiptare është rritur me 3.6%, teksa numri i burrave shqiptarë që jetojnë jashtë u rrit me 4.1%, ndërsa i grave me 3%.
Diaspora e vlerësuar nga INSTAT përllogaritet 1.641.354 individë jashtë territorit të Shqipërisë, ku 862.622 individë janë meshkuj dhe 778.732 janë femra.
Të dhënat e censeve të fundit të popullsisë dhe banesave, tregojnë se 905 mijë individë të lindur në Shqipëri kanë qenë rezidentë të zakonshëm në 28 vende të Evropës, nga ana tjetër statistikat që lidhen me shtetësinë tregojnë se 962 mijë shtetas shqiptarë jetojnë në 15 vende të saj.
Kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë arsyet ekonomike ato që shtyjnë pjesën më të madhe të shqiptarëve të largohen nga vendi dhe sipas anketës së Forcës së Punës, në 2018, arsyeja kryesore e largimit nga Shqipëria është papunësia.