Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pasi shfaqi shqetësime për shkak të gurëve në veshka u shtrua në spital.
Pasi shkoi për kontroll këtë mëngjes, ai u shtrua në klinikën e Urologjisë në QKUK.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas shqetësimeve të shfaqura nga gurët në veshkë, sot ka shkuar për një kontroll në Emergjencën e QKUK-së dhe më pas është shtrirë në Klinikën e Urologjisë, ku po trajtohet nga personeli mjekësor professional”, thuhet në deklaratën e Presidencës.
Gjendja e tij është e qëndrueshme dhe vetë presidenti ka shfaqur mirënjohje për stafin mjekësor.
“Gjendja shëndetësore e Presidentit të Republikës së Kosovës është stabile dhe Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës do t’iu mbajë të informuar lidhur me trajtimin që është duke marrë presidenti Thaçi. Presidenti i Republikës së Kosovës shpreh mirënjohje për kujdesin e treguar nga i tërë personeli shëndetësor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës”, vijon më tej njoftimi i Presidencës.