Ditën e sotme Brukseli ka rishikuar buxhetin e vitit 2020 me qëllim mbështetjen për vendet që kanë nevojë urgjente nisur nga kriza e shkaktuar nga koronavirusi, teksa këtu përfshihet edhe granti 100 mln euro që iu premtua Shqipërisë në Konferencën e Donatorëve.
Lajmin e ka bërë me dije ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca, i cili në një postim në faqen e tij zyrtare në Twitter njofton se:
“Sot Këshilli i Europës ka ndryshuar buxhetin e vitit 2020 për të ofruar mbështetje shtesë urgjentisht aty ky është e nevojshme. Kjo përfshin edhe 100 mln eurot e premtuara nga Komisioni Europian në shkurt për të mbështetur rindërtimin pas tërmetit në Shqipëri. Premtimi mbahet dhe dorëzohet! Bashkimi Europian qëndron pranë Shqipërisë” tha ai. Pak kohë më parë BE-ja dorëzoi pjesën e parë të ndihmës për tërmetin prej 15 mln euro. Ndihma e KE në total për Shqipërinë ishte 115 mln euro.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një lajm të mirë, teksa shton se pavarësisht hallit të madh prej Covid-19 KE e ka mbajtur premtimin e dhënë në Konferencën e Donatorëve.
“Një lajm i mirë që pavarësisht hallit të madh të përballimit të pasojave të kësaj lufte botërore, BE i qëndroi angazhimit të 17 shkurtit në Bruksel dhe 100 milionë € e premtuar nga Komisioni Europian për rindërtimin, u alokuan në buxhetin e rishikuar të BE2020”, shkruan Rama në Facebook.
Kujtojmë se në 17 shkurt u mbajt Konferenca e Donatorëve ku Shqipërisë iu ofrua 1 miliardë e 152 milionë euro për rindërtimin e banesave.
Nga kjo vlerë e vënë në dispozicion si për ndërtimin ashtu edhe për riparimin e dëmeve, rreth 295.7 milionë euro janë ndihma pra grante, 853 milionë është kredi dhe 3.4 milionë euro janë ndihma për mallra.