Ndonëse karantina është ndër masat më të sigurta kundër koronavirusit, të zbatuara kudo në botë, duket se disa shqiptarë ende nuk e kuptojnë këtë.
Ditën e sotme, dhjetë persona në Vlorë janë ndëshkuar nga policia pasi janë kapur duke luajtur futboll në një fushë futbolli në pyllin e Sodës dhe të gjithë tashmë do të qëndrojnë të izoluar për 14 ditë dhe do të mbahen në mbikëqyrje nga policia.
Në njoftimin për media të Policisë së Shtetit bëhet me dije se gjithashtu se mes tyre ka qenë edhe Shfei i Qarkullimit të Vlorës, shtetasi me iniciale R. P, i cili është pezulluar nga detyra.
Nga detyra është pezulluar edhe një punonjës tjetër policie me iniciale G. F, ndaj të cilit ka nisur edhe një hetim disiplinor për shkelje të rëndë për shkak të mospërmbushjes apo dështimit në përmbushjen e detyrave ose përgjegjësive të caktuara.
Njoftimi i Policisë:
Thyen orarin e karantinimit duke luajtur futboll në një fushë futbolli në pyllin e Sodës, Vlorë, ndëshkohen me masë administrative 10 persona. Karantinohen për 14 ditë, të 10 personat që u kapën duke luajtur futboll, të cilët do të mbahen nën mbikëqyrje nga ana e Policisë. Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullohet nga detyra Shefi i Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Komisar R. P., njëri nga pjesëmarrësit që luante futboll. Gjithashtu, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimi disiplinor për shkelje të rëndë, si dhe u bë pezullimi nga detyra i punonjësit të Policisë G. F., për mospërmbushje apo dështim në përmbushjen e detyrave ose përgjegjësive të caktuara, pasi konstatoi personat dhe nuk mori masë administrative ndaj këtyre shtetasve. Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe apelon edhe njëherë për qëndrim në banesë dhe respektim të masave kufizuese, duke bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.