1,489,457 të infektuar dhe 87,292 viktima janë regjistruar deri tani nga koronavirusi në të gjithë botën, teksa në shumë vende situata duket kritike.
Së fundmi, Organizata Botërore e Shëndetit ka njoftuar se kontinenti europian, i cili numëron mbi 680 mijë raste dhe rreth 60 mijë viktima, është ende epiqendra e pandemisë dhe për këtë arsye nuk është ende koha për të lehtësuar masat, përkundrazi t’i dyfishojë dhe trefishojë.
“Europa është tashmë epiqendra e pandemisë së koronavirusit. Pavarësisht sinjaleve pozitive që vijnë nga disa vende, nuk është momenti të lehtësojmë masat”, tha drejtori rajonal i OBSH për Europën, Hans Kluge.
Më tej, Kluge shtoi se disa vende po tregojnë shenja të uljes së rasteve të reja, por të tjera presin dyfishim të tyre, ose shpërthim të ri të pandemisë, teksa pohoi se në Itali vihet re një ngadalësim i rëndësishëm i kurbës së infektimeve.
Kujtojmë se kryeministri Rama ka paralajmëruar lehtësimin e masave të marra për parandalimin e COVID-19.
Më herët ditën e sotme, me anë të një statusi në Facebook, Rama ka lajmëruar ndryshime në Kodin Penal dhe Rrugor të Republikës së Shqipërisë, madje tha se po përgatitet t’i drejtohet Parlamentit, për këtë gjë.
Kryeministri shkruan se heqja e lejes së drejtimit të automjetit për disa vite dhe heqja e lirisë për këmbësorët që shkelin karantinën, do të kthehen në norma bindëse për të siguruar fitoren e luftës.
Kreu i qeverisë lajmëron se brenda datës 15 prill do të ketë masa lehtësuese për mënyrën e lëvizjes në vazhdim, ndërkohë që shton se brenda të njëjtin afat, pritet edhe zgjerimi i paketës financiare.