Intubimi dhe terapia intensive konsiderohen si dy nga fazat më kritike që kalon një pacient i infektuar nga COVID-19.
Me shpërthimin e koronavirusit në botë, këto dy fjalë janë padyshim ndër më të përdorurat në raportimin që bëhet rreth gjendjes së të infektuarve.
Por, çfarë është kujdesi intensiv?
Së fundmi, BBC i ka dedikuar në artikull kësaj teme ku informon më shumë rreth kësaj gjendjeje.
Departamenti i ‘Kujdesit intensiv’ është një departament i specializuar për trajtimin dhe monitorimin nga afër të pacientëve që janë në gjendje të rënduar shëndetësore.
Ky pavion ka më pak pacientë dhe më shumë staf se të tjerët, pikërisht për faktin se të shtruarit kanë nëvojë për një kujdes më të madh, teksa dhomat janë pajisur me aparatura të sofistikuara.
Ky është një shtrat tipik i një pacienti të shtruar në kujdes intensiv:
Kush ka nevojë për kujdes intensiv?
Arsyet pse një person mund të ketë nevojë për këtë lloj kujdesi janë të ndryshme, që nga rastet kur i nënshtohet një operacioni të vështirë e deri tek kalimi i traumave të rënda, siç janë për shembull aksidentet.
Ndërsa, pacientët e infektuar nga COVID-19 vendosen në terapi intensive si një masë paraprake kur simptomat e tyre përkeqësohen.
Këtu mund të përfshihen vazhdueshmëria e simpotmave të tilla si ethet, temperatura, problemet me frymëmarrjen etj.
Pacientëve nën kujdes intensiv u vendosen disa aparatura përmes tubave, telave dhe kabllove, për të monitoruar se si trupi po e përballon sëmundjen.
Përveç këtyre, ata marrin edhe kura shtesë, përfshirë edhe ushqim të përzgjedhur.
Çfarë kujdesi u kushtohet pacientëve në terapi intensive?
Jo çdo pacient në terapi intensive me koronavirus ka nevojë për një ventilator për të përmirësuar frymëmarrjen.
Disave prej tyre mund tu vendoset një aparaturë e quajtur CPAP (presion i vazhdueshëm pozitiv i rrugëve të frymëmarrjes), që ushtron presion të butë për të shtyrë oksigjenin në rrugët e frymëmarrjes përmes një maske.
Në këtë rast pacientët mund të jenë të vetëdijshëm, ndryshe nga pacientët që kanë nevojë për ventilator.
Sakaq, për raste jashtëzakonisht të rënda, thuhet në artikullin e BBC, mund të përdoret një aparaturë e quajtur ECMO (oksigjenimi i membranës ekstrakorporale), e cila zëvendëson disa nga funksionet e zemrës dhe mushkërive.
Shërimi nga kujdesi intensiv
Sapo pacienti përmirësohet, zhvendoset në një repart tjetër, ku mund të qëndrojë i shtruar për javë ose muaj me radhë, ndërsa në rastin më të mirë qëndron për disa ditë.