Në pikën kufitare të Kakavijës vijojnë të qëndrojnë ende 15 shtetas shqiptarë, që kërkojnë të futen në vendin tonë.
Në doganë janë vendosur porta hekuri, për të mos lejuar kalimin e emigrantëve, ndërsa puna është ndërprerë.
Emigrantët kërkojnë të vetëkarantinohen në shtëpitë e tyre, pasi nuk kanë mundësi ekonomike, për të qëndruar në hotele.
‘Kërkojmë vëtëkarantim në shtëpi, jemi të pamundur të paguajmë detyrimet që ka vënë qeveria. Shumica prej nesh kanë qenë në Greqi për punë dhe kemi punuar me dita. Jemi pa ngrenë, pa pirë, kërkojmë mbështetje’, u shpreh njëri prej emigrantëve që ndodhet në tokën neutrale për “Report Tv”.
Dy ditë më parë kryeministri Edi Rama tha se nuk do të lejohet hyrja e emigrantëve që janë rezidentë në një shtet tjetër.
Më tej ai bëri me dije se të gjithë ata që futen në territorin tonë do të vetëkarantinohen nëpër hotele për 14 ditë.
Kujtojmë këtu se të shtunën në Kakavijë u futën 30 emigrantë, ndërsa ditën e hënë 17 të tjerë nga pika kufitare e Kapshticës.