Kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit të tij online ka prekur edhe çështjen e bllokimit të emigrantëve në kufirin me Greqinë, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.
Rama u shpreh se brenda 24 orëve, do të futen në Shqipëri vetëm ata që kanë një arsye të fortë.
Shefi i qeverisë theksoi se emigrantët që janë rezidentë në një vend tjetër nuk do të lejohen të futen.
Ndërkohë ata që do të kthehen në atdhe, do të qëndrojnë në hotel 14 ditë të karantinuar dhe do t’i ndalohet çdo kontakt me familjen.
“ Ne kemi vendosur që brenda 24 orëve të hyjmë në proces të ndërmjetëm dhe kush do të vi në kufi me dokumenta rezidente në vende të tjera nuk do lejohet të hyjë. Kush vjen me pretendime të tjera, do të karantinohen në hotele, në dhomë mbyllur me shpenzimet e veta. Është e vetmja mënyrë për të mbrojtur popullin tonë, Shqipërinë nga katastrofa dhe mund të mundësojmë hyrjen për ata që janë vërtet me një arsye. Ardhja nga rezidentët është e papranueshme. Është papërgjegjshmëri. Sidoqoftë brenda 24 orësh do të bëhet publike si do të veprohet e cilat do të jenë mekanizmat se si do të veprohet në kufi. Po para do kontakti me familjen, do të respektohet 14 ditë karantinë, i ruajtur nga policia. “ u shpreh Rama.
Ditën e shtunë në pikën kufitarë të Kakavijës u futën 30 emigrantë, në mesin e të cilëve fëmijë dhe të moshuar.
Ndërsa gjatë 24 orëve të fundit nga pika kufitare e Kapshticës janë futur 17 persona, ndërsa 25 të tjerë nuk janë lejuar.