Më në fund një lajm i mirë raportohet nga Italia, ku për herë të parë nga goditja nga COVID-19 ka rënë numri i pacientëve në terapi intensive.
Sipas autoriteteve shëndetësore italiane, në spitale ka tani 3, 994 pacientë me koronavirus, të shtruar nën kujdesin e terapisë intensive, 74 më pak se një ditë më parë, raporton Ansa.
”Nga këta, 1, 326 janë në Lombardi. Nga 88,227 pacientë, 29,010 janë shtruar në spital me simptoma dhe 55, 270 janë në izolim në shtëpi. Për herë të parë kemi një shifër shumë të rëndësishme. Numri i pacientëve në kujdesin intensiv është 74 më pak dhe është një lajm i rëndësishëm sepse lejon që spitalet tona të marrin frymë. Kjo është vlera e parë pozitive që nga fillimi i menaxhimit të urgjencës”, deklaroi kreu i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli.
Mirëpo, Franco Locatelli, presidenti i Këshillit të Lartë të Shëndetit, tha:
”Por, ne nuk e kemi kaluar fazën kritike. Rreziku nuk ka ikur, ne nuk kemi shpëtuar aspak.Një studim autorizues në fakt ka përcaktuar të paktën mbi 30 mijë numrin e jetëve që janë shpëtuar ose vdekjeve të shmangura përmes masave të kontrollit”.
Italia vijon të jetë në krye të tabelës për numrin më të lartë të viktimave në rang botëror pasi deri tani 15, 362 persona kanë humbur jetën dhe 124, 168 janë infektuar.
Gjendja duket shumë e frikshme edhe në SHBA që ka plot 311, 637 të infektuar, më shumë se çdo vend tjetër, teksa janë shënuar 8,454 viktima.