Bilanci negativ i viktimave dhe të infektuarve nga koronavirusi vijon të rëndohet në të gjithë botën.
Tashmë janë 1,203,188 të infektuar dhe 64,747 persona kanë ndërruar jetë, ndërsa 246,760 të tjerë janë shëruar duke fituar luftën me COVID-19.
Tashmë, SHBA mban vendin e parë për numrin e të infektuarve, me 311, 637, ndërsa Italia ka numrin me të lartë të viktimave, ku deri tani 15,362 persona kanë ndërruar jetë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri tani janë shënuar 8,545 viktima, teksa New York po përjeton një gjendje shumë të vështirë.
Sakaq, Ambasada shqiptare në SHBA, nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, ditën e djeshme ka bërë me dije se të paktën 9 shqiptarë kanë humbur jetën deri tani dhe mbi 30 anëtarë të komunitetit shqiptar janë prekur nga COVID-19, një pjesë prej të cilëve janë shtruar në spital, ku ndodhen në gjendje kritike për jetën, ndërsa pjesa tjetër po qëndron në shtëpi.
Ditën e sotme, kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të frikshme, duke paralajmëruar se numri i viktimave do rritet shumë javët e ardhshme.
“Do të ketë shumë vdekje në javët e ardhshme. Të dhënat e fundit të SHBA-së flasin për mbi 8,000 viktima dhe mbi 300,000 raste të infeksionit, është një situatë e jashtëzakonshme, një gjë e tillë nuk është parë kurrë “, shtoi Trump.
Virusi shënon cdo ditë shifra të frikshme edhe në Spanjë, e cila ka shtyrë deri në 26 prill gjendjen e emergjencës.
Spanja numëron 11,947 të vdekur, 126,168 të infektuar dhe 34,219 të shëruar, teksa vetëm në 24 orët e fundit vendi ka shënuar 749 viktima dhe 6, 969 raste të reja të të infektuarve, ndërsa 6, 532 persona janë në gjendje kritike për jetën.