Gjatë këtyre ditëve nëpër qytetet e Shqipërisë është vënë re një mbipopullim nëpër tregje, ku njerëzit nuk kanë respektuar distancat e sigurisë.
Duke qenë se kujdesi tashmë duhet të jetë më i madh sepse vendi ynë ka hyrë në pikun e epidemisë, qytetarët kanë bërë të kundërtën.
Nisur nga ky fakt, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ashpërsim të masave.
Që nga dita e hënë, shefi i qeverisë bën me dije se ushtria dhe policia do të shtrëngojnë urgjentisht kordonët nëpër tregje.
Më tej Rama tha se për ata që nuk zbatojnë distancën, do të shkohet deri në heqje lirie.
Postimi i Ramës
NËSE KY ËSHTË NIVELI I KUPTIMIT TË DETYRËS NJERËZORE, QYTETARE E ATDHETARE, NË FRONTIN E KËSAJ LUFTE PËR JETË A VDEKJE DHE MEQË MESA DUKET ECURINË POZITIVE TË LUFTËS DERI TANI, SHUMËKUSH PO E KUPTON GABIMISHT SI ARSYE PËR T’U LËSHUAR ME IDENË SE S’NA GJEN GJË, ATËHERË PËRGJIGJA E SHTETIT DO TË JETË RECIPROKE PËR KËDO QË NUK DO TË HYJË NË RRESHT PËR TË MBAJTUR RADHË!
🔴 USHTRIA DHE POLICITË BASHKIAKE DO TË SHTRËNGOJNË URGJENTISHT KORDONËT SANITARË TË TREGJEVE. POLICIA E SHTETIT DO TË GODASË SHKELËSIT ME MASA TË REJA NDËSHKIMORE!
🔴 MASAT E REJA NDËSHKIMORE DO TË JENË LIGJ DITËN E HËNË DHE PËR KOKËSHKRETËT DO TË SHKOHET DERI NË HEQJE LIRIE! NËSE DO TË LEHTËSOJMË ME PIKATORE POPULLIN E PËRGJEGJSHËM, KOKËSHKRETËVE DO T’UA BËJMË FERR KËTË VIJË TË SHTREMBËR SJELLJEJE QË NA FUT NË ZJARRIN E FERRIT TË GJITHËVE!
*Tirana është vatra më e rrezikshme e luftës. Durrësi njësoj si Tirana mund të kthehet në Vaterlonë tonë. Shkodra është tanimë një bombë me sahat. Fieri është një rrezik i madh potencial. Kudo mund të na iki avantazhi që kemi krijuar, nëqoftëse do ta bëjmë si Kombëtarja Kuqezi që pjesën e parë duket sikur do fitojë, pastaj… Harrojeni, këtë luftë nuk kemi për ta humbur për ata që s’kanë mendje dhe këllqe të luftojnë si mbarë populli shqiptar.
Numri i të prekurve ditën e sotme nga COVID-19 ka shkuar në 333.
Në 24 orët e fundit janë kryer 216 testime, nga ku janë identifikuar 29 raste të reja.
Numri i pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv është 66, nga të cilët 6 mbahen në terapi intensive, ku 1prej tyre është intubuar.
Në spitalin COVID2 janë pesë të shtruar, ku 2 prej tyre ndodhen në terapi intensive.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 10 pacientë, duke e çuar numrin në 99, ndërsa numërohen edhe 18 viktima në total.