Drejtor i burgut ‘313’, Eduard Struga, është arrestuar ditën e sotme, pasi dyshohet se është përfshirë në një skemë korruptive, teksa pak orë më parë ‘BalkanWeb’ raportoi se Struga është i dyshuar për korrupsion me tendera ushqimesh.
Po ashtu, në këtë skemë janë përfshirë edhe disa nga vartësit e tij, të cilët po ashtu janë shoqëruar në polici dhe sipas hetimeve rezulton se Struga ka qenë kreu i kësaj skeme dhe pas 2 ditësh pritet që shefi i ‘313’ të dalë para gjykatës.
Së fundmi, ka ardhur edhe reagimi nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) që lajmëron se Eduard Struga, shtetasi me iniciale F. A., me detyrë Shef i Logjistikës së burgut ″Jordan Misja″ dhe shtetasi E. K., përfaqësues i një subjekti tregëtar janë arrestuar ditën e sotme në flagrancë.
Në njoftimin për shtyp thuhet se shtetasit F.A., iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, shuma prej 100 mijë lekësh, teksa shtohet se personi në fjalë dhe Struga, në mënyrë të përsëritur, kanë marrë shuma të konsiderueshme parash, (rreth 550 mijë lek), në këmbim të krijimit të favoreve për të ushtruar aktivitet tregëtar në ambjentet e brendshme të burgut.
Ndërkohë, shtetasi E.K., i ka dhënë funksionarëve publikë, si përfitim të parregullt, shuma të konsiderueshme parash.
NJOFTIMI PLOTË
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 09.03.2020, mbi bazën e kallëzimit të një shtetasi, ka regjistruar procedimin penal nr.89/2020, për veprën penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Pas regjistrimit të procedimit penal u përdorën metoda proaktive dhe tradicionale të hetimit, falë të cilave, sot me datën 03.04.2020, strukturat e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. S., me detyrë Drejtor i IEVP-së ″Jordan Misja″, Tiranë; shtetasin F. A., me detyrë Shef i Logjistikës i IEPV-së ″Jordan Misja″, Tiranë dhe shtetasin E. K., përfaqësues i një subjekti tregëtar. Shtetasit F.A., ju sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, shuma prej 100 mijë lek, objekt përfitimi të parregullt. Funksionarët publikë të arrestuar në flagrancë në kuadër të këtij hetimi, në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar dhe marrë shuma të konsiderueshme parash, (rreth 550 mijë lek) si përfitim i parregullt, në këmbim të krijimit të favoreve për të ushtruar aktivitet tregëtar në ambjentet e brendshme të IEVP-së ″Jordan Misja″, Tiranë. Ndërkohë shtetasi E.K., i arrestuar në flagrancë, i ka dhënë funksionarëve publikë, si përfitim të parregullt, shuma të konsiderueshme parash.
Prokuroria e Posaçme falenderon kallëzuesin për kurajon dhe inkurajon çdo shtetas që të bëjë kallëzim në rastet kur zyrtarë publik abuzojnë me detyrën dhe kërkojnë përfitime të parregullta. Prokuroria e Posaçme falenderon gjithashtu dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit të përfshira në hetimin e këtij rasti për profesionalizmin, seriozitetin dhe angazhimin e treguar. Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vazhdojnë.
Eduart Struga është një emër i njohur për institucionet e burgjeve dhe drejtonte burgun ‘313’ prej pak kohësh, por ka karrierë të gjatë në polici, teksa ka drejtuar sektorin e drogës për shumë vite.
Atij iu besua kjo detyrë, me vendim të ministrisë së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në tetor të vitit të kaluar, duke qëndruar kështu vetëm gjashtë muaj në këtë post.