Tre ditë më parë një trup prej 30 mjekësh dhe infermierësh u nisën drejt Italisë, për tu ardhur në ndihmë kolegëve të tyre në Bergamo, teksa u pëcollën e u pritën në mënyre cermoniale.
Mirëpo, teksa çdo gjë duket kaq mirë përtej Adriatikut, në vendin tonë prej disa orësh janë ngjallur polemika rreth njërit prej mjekëve pjesë e grupit të dërguar në Bergamo.
“Dosja.al” raportoi se infermieri Qazim Ismaili është pompist dhe nuk ka eksperiencë në mjekësi por ka kryer vetëm një kurs, gjë e cila ka ngjallur shumë debate.
Teksa Ministria e Shëndetësisë nuk ka reaguar zyrtarisht, por disa media të tjera kanë publikuar licensën e Urdhërit të Infermierit që ka marrë Ismaili në 2017-ë dhe në dokument thuhet se Ismaili ka mbaruar Infermierinë në vitin 1993.
Mirëpo ka qenë gazetari Klodian Tomorri që ka reaguar menjëherë, duke thënë se Infermieria është hapur në vitin 1994.
Më pas, “Dosja.al” ka komunikuar me Ismailin, i cili ka pranuar se ka punuar për 5 vite pompist në karburant, por shprehet se ka punuar në Itali në shtëpi kurimi dhe qendra private si vullnetar.
Pasditen e sotme gazetari Ardit Rada ka shkruar se ‘Bashkia Vorë nuk ka spital që të kërkojë infermierë dhe si çdokush, as Qazimi nuk ka patur interes të bëjë rrugën Vorë-Tiranë-Vorë për rrogën e infermierit dhe e vetmja mundësi ka ngelur punësimi në një karburant në fshatin ku jeton.’
Gazetari thotë se Ismaili ka punuar 4 vite në Spitalin Ushtarak, 9 vite në Spitalin Nr.2 dhe 5 vite si infermier në Itali dhe sipas tij, infermieri është kthyer nga Italia në vitin 2008 pasi 3 fëmijët e tij u plagosën nga tragjedia e Gërdecit, teksa njëra prej vajzave të tij ka probleme me zemrën.
Së fundmi, pasi është kontaktuar nga “JOQ Albania”, e bija e Ismailit ka publikuar notat e shkollës të së atit dhe certifikatat që ai ka marrë gjatë periudhës që pretendon se ka punuar në profesion, teksa shton se i ati ka kaluar me sukses edhe provimin që u është bërë ekipit shqiptar në Itali dhe po pret që të nisë punën.
“Nuk kam arsye për të qënë anonim. Jam Artjola Ismaili, vajza e Qazim Ismailit, mjekut që shkoi në Itali për të cilat qarkullojnë edhe shumë lajme. Këtu në Shqipëri janë zakon keqinterpretimet e çdolloj lajmi apo fjalimi. Dhe do të doja të sqaroja të gjithë këto lajme që më vjen me të vërtetë neveri. Po babi im ka punuar pompist, e vërtetë, e çdo të të thotë kjo??? Edhe një përgjegjes për një periudhë mund të jetë pjatalarës, nuk është turp që të punosh, e sidomos për të siguruar të ardhurat e familjes. E kjo nuk tregon që babi im nuk është mjek, boll me këto lajme. Babi im ka bërë shkollën për mjekësi, ka lejen e mjekut, ka kaluar edhe provimin në Itali për të filluar punën ndershmërisht sot atje. Janë të gjitha të dokumentuara edhe për eksperiencën e punës disa-vjeçare në Itali, si dhe tek spitali nr.2 në Shqipëri. Për faktin se unë isha e vogël dhe kisha nevojë për një operacion në zemër, u detyrua që të linte punën dhe të kthehej për mua,” -sqaron ajo.
Deri tani nuk dihet si qëndron e vërteta, por pritet një reagim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë.