Prej më shumë se 24 orësh, disa kamionë me mallra të nisur nga Kosova kanë mbetur të bllokuar në doganën serbe pasi autoritetet vendase nuk i lejojnë që të kalojnë.
Së fundmi, rreth kësaj ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili me anë të disa statuseve në Twitter i është drejtuar në serbisht presidentit Aleksandër Vuçiçit për të lejuar që të kalojnë kamionët nga Kosova.
Kreu i qeverisë shqiptare ka kërkuar lirimin e kamionëve në mënyrë që Ballkani të jetë shembull solidariteti në botë në luftën kundër koronavirusit, pasi sipas Ramës, luftën kundër pandemisë që ka ‘gjynjëzuar’ botën mund të fitohet vetëm nëse jemi të bashkuar dhe ndihmojmë njëri-tjetrin.
“Vetëm me solidaritet pa kufij dhe kompasion si njerëz bashkarisht të sulmuar nga një armik i egër, ne mund e do të fitojmë! Ju lutem ngrijeni atë tra z.President, e le ta bëjmë rajonin tonë një shembull të shndritshëm të solidaritetit aq shumë jetik për ta fituar luftën. Prej 24h kamionët me mallra nga Kosova janë bllokuar në kufirin e Serbisë! Linja e Gjelbërt në rajon s’mund t’i nënshtrohet rregullave të çdo vendi, po veç një rregulli të thjeshtë: Këtë luftë që duhet ta fitojmë së bashku duke ndihmuar njëri-tjetrin jo armikun e pakufi”, i drejtohet Rama-Vuçiçit.
@avucic Prej 24h kamionët me mallra nga Kosova janë bllokuar në kufirin e Serbisë! #LinjaeGjelbërt në rajon s'mund t'i nënshtrohet rregullave të çdo vendi, po veç një rregulli të thjeshtë: Këtë luftë që duhet ta fitojmë së bashku duke ndihmuar njëri-tjetrin jo armikun e pakufi!
— Edi Rama (@ediramaal) March 31, 2020
Mbetet për t’u parë nëse Vuçiç do ta dëgjojë lutjen e Ramës, pasi shquhen për një marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin.