Shqipëria është futur në javën e tretë të karantinës për shkak të COVID-19.
Mirëpo java e zjarrit sipas Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nuk ka ardhur ende.
Ajo u shpreh për “Open” se dy javë e ardhshme do të tregojnë se çfarë pamje do të ketë kurba.
Manastirliu theksoi rëndësinë e masave të forta të ndërmarra nga qeveria, ndërsa shtoi, se nëse nuk zbatohen, kurba do të rritet.
“Ajo që unë mund të them Eni me siguri është se ende nuk jemi futur në javën e zjarrit. Ajo se çfarë e ndikon situatën, pritet që të kemi raste të shumta sigurisht dhe dy javët e tjera do të tregojnë se çfarë pamje do të ketë kurba. Modelet matematikore tregojnë se pa masa të forta do të përballeshim me kurbë që do të ishte shumë e rrezikshme dhe masat e forta që ne kemi ndërmarrë dhe që janë marrë në kohën e duhur, kanë bërë që ne të mos të përballemi me kurbën e përpjetë që shumë vende po përballen. Por kjo nuk do të thotë që ne nëse nuk zbatojmë masat që ne kemi marrë, kjo kurbë nuk do të rritet”, u shpreh ministrja.
Në përditësimin e të dhënave një ditë më parë, numri i të prekurve nga COVID-19 shkoi në 223.
Nga këto numërohen 12 viktima dhe 52 të shëruar.
Në spitalin Infektiv ndodhen 74 pacientë, 6 prej të cilëve në gjendje të rëndë, ku 4 janë intubuar.
Epiqendra e koronavirusit është Tirana me 124 raste, e ndjekur nga Fieri me 23 dhe Durrësi e Korça me 14.