Italia gjunjëzohet çdo ditë e më shumë nga COVID-19, që deri tani u ka marrë jetën 11,591 personave dhe ka infektuar 75, 528 të tjerë, duke e renditur e para në rang botëror për numrin e viktimave.
Po ashtu, deri tani kanë humbur jetën mbi 50 mjekë dhe janë infektuar mijëra të tjerë.
Dy ditë më parë, 30 mjekë e infermierë u nisën përtej Adriatikut, në ndihmë të kolegëve teksa paga e tyre do mbulohet nga buxheti i shtetit shqiptar.
Korab Gjana është një nga infermierët pjesë e grupit të mjekëve që ka shkuar në Itali, i cili punon në QSUT dhe ka realizuar një intervistë telefonike me ABC News.
Gjatë bisedës, Gjana tha se ai dhe stafi i mjekëve është duke u trajnuar dhe fillimisht ata nuk do të jenë në vijën e parë për të trajtuar pacientët me COVID-19, por si fillim do jenë ndihmës të kolegëve italian.
Më tej, ai tha se stafi shqiptar prej 30 mjekësh, është i profileve të ndryshme dhe se 2 ose 3 prej tyre, kanë punuar më parë me sëmundjet infektive, teksa tha se pritja në Itali ka qenë mbresëlënëse dhe se të gjithë ishin shprehur mirënjohës për këtë gjest të Shqipërisë.
Biseda e Plotë:
Endri Xhafo: Si ishte situata në spitalin e Brescias? Keni patur një trajnim shumë të madh sot paradite për masat e sigurisë.
Korab Gjana: Ne sot jemi njohur me ambientet e spitalit, kemi bërë një konferencë të përbashkët. Kemi marrë informacionin e duhur ku duhet treguar kujdesi maksimal për përdorimin e veshjes në mënyrë që të shmanget maksimalisht kontaminimi. Jemi njohur edhe me pavijonet që do të punojmë në ditët në vazhdim.
Endri Xhafo: Çfarë bëtë sot?
Korab Gjana: Vetëm jemi njohur me spitalin dhe kolegët dhe ambientin ku do të punojmë.
Endri Xhafo: Është spital i tej-mbushur me persona të infektuar nga Covid?
Korab Gjana: Nuk është se ka fluks të madh, është i sistemuar në specialitete të ndryshme. Por dhomat e spitalit janë të zëna.
Endri Xhafo: Ju do të jeni ndihmë e mjekëve italianë?
Korab Gjana: Po, ne do të jemi krah mjekëve dhe infermierëve italianë. Ne do të jemi në linjën e dytë, pra në ndihmë të mjekëve italianë si fillim. Në vazhdim do të mund të bëhemi gati për vijën e parë pasi të fitojmë sigurinë.
Endri Xhafo: Ju kishit punuar në Shqipëri, në momentin që keni shkuar në Itali apo ishit grupi rezervë?
Korab Gjana: Me çfarë kam unë informacion, pothuaj të gjithë mjekët kanë punuar në spitale në Shqipëri. 2 ose 3 nga stafi ynë kanë punuar në spitalet infektive në rrethe, nuk kam informacion të saktë.
Endri Xhafo: Çfarë ndodhi nga momenti që ju mbërritët në aeroport derisa shkuat në Brescia?
Korab Gjana: Pritja ishte mbresëlënëse. Të gjithë na kanë pritur shumë mirë. Ne mbërritëm me avion deri në Verona ndërsa në Brescia me makina.
Më herët ditën e sotme Edi Rama ka dhënë një intervistë për Sk4 News 24 në Itali, ku ka folur për dërgimin e mjekëve si një ndihmë humanitare.
Rama tha se dërgimi i mjekëve ishte një zgjedhje e natyrshme që sigurisht është shoqërua me problematikat e saj sepse edhe vendi ynë po lufton kundër të njëjtit armik.
Sipas tij, disa nga mjekët dhe infermierët i kanë thënë se prindërit e tyre nuk e dinë se ata po niseshin drejt Bergamos nga frika se do i demoralizonin para nisjes.