Ditën e sotme kryeministri Edi Rama ka folur për situatën e përballimit të COVID-19, ku është shprehur se vendi ynë do dalë kryelartë nga kjo betejë e vështirë, kundër atij që kryeministri e cilëson ‘armiku i padukshëm’.
Në një lidhje direkte me emisionin “Top Talk”, Rama u shprehet se statistikat flasin në favor të masave të marra, por prova e zjarit është gjatë muajit prill.
I pyetur rreth masave të marra deri tani për parandalimin e përhapjes së virusit, Rama tha se ato po japin efekt por nuk duhet të gëzohemi para kohe: “Duke u krahasuar me vendet e tjera, jemi duke bërë gjënë e duhur dhe po ecim në drejtimin e duhur. Ne kemi pritur që rastet të shtohen, e për të mos marrë mësysh kemi më pak raste të shtuara nga ajo që kishim parashikuar. Masat po japin efekt dhe nuk duhet të gëzohemi përpara kohe.”, u shpreh Rama.
Numri i të prekurve nga COVID-19 në vendin tonë ka shkuar në 223, teksa Ministria e Shëndetësisë bën me dije se në 24 orët e fundit janë testuar 90 persona, nga të cilët 11 kanë rezultuar pozitivë.
Deri në këto momente janë kryer në total 1,526 teste, ku janë identifikuar 223 raste, teksa numri i viktimave ka shkuar në 11 persona pasi një 79-vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm.
Në spitalin Infektiv akualisht ndodhen 74 persona, 7 prej të cilëve në terapi intensive, ku 4 janë intubuar.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 124 raste
– Durrës 14 raste
– Lushnje 4 raste
– Elbasan 5 raste
– Fier 23 raste
– Kavajë 4 raste
– Rrogozhinë 2 raste
– Korçë 14 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 7 raste
– Lezhë 5 raste
– Berat 1 rast
– Has 2 raste
– Krujë 5 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 3 raste
– Mirditë 1 rast