Koronavirusi ka shkaktuar dëme të shumta ekonomike, ku një ndër sektorët e prekur është edhe futbolli.
Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet një letre dërguar Këshillit të Ministrave, kërkon përfshirjen e Superligës, në paketën eknomike të qeverisë.
FSHF shprehet, se për shkak të ndalimit të aktiviteteve futbollistike, është paralizuar puna e klubeve, shkollave dhe akademive të futbollit, duke lënë pa asnjë të ardhur futbollistët dhe stafet teknike.
Më tej në njoftim thuhet se FSHF është bërë pjesë e thirrjeve për qëndrimin në shtëpi, ndërsa i është bashkuar edhe fushatës së FIFA-s, për ta përcjellë mesazhin në të gjithë hallkat e botës futbollistike shqiptare.
Njoftimi i FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar një letër Këshillit të Ministrave dhe i ka kërkuar garantimin e anës financiare për të gjithë komunitetin e futbollit në Shqipëri, përmes një pakete kompensimi. FSHF iu përgjigj në mënyrë të menjëhershme urdhërit nr. 132 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më datë 08.03.2020 duke pezulluar të gjitha aktivitetet futbollistike në vend, si dhe u kërkoi klubeve të marrin masa për mbrojtjen e shëndetit të futbollistëve dhe stafeve teknike. Njëherazi Vendimi nr.243 i Këshillit të Ministrave i datës 24.03.2020 për Shpalljen e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore, ka ndaluar tërësisht punën e Federatës së Futbollit dhe të gjitha hallkave të këtij sektori në rang vendi.
Kjo situatë, ka paralizuar punën e klubeve, shkollave dhe akademive të futbollit duke i çuar ato drejt falimentit, duke lënë pa asnjë të ardhur mijëra të punësuar duke nisur nga futbollistët, trainerët dhe deri të stafet teknike. Klubet janë në pamundësi për të bërë pagesa, për shkak të ndërprerjes së të gjitha të ardhurave nga biletat, transmetimet televizive si dhe për shkak të tërheqjes së sponsorave.
Nisur nga kjo situatë, Federata e Futbollit kërkon që të gjithë punonjësit e përfshirë në sektorin e futbollit në vend, të përfshihen patjetër në paketën e kompensimit, si një e drejtë themelore për të garantuar mbijetesën e familjeve të tyre në këtë kohë të vështirë.
Federata e Futbollit i është bashkuar mesazhit të qeverisë në thirrjen ndaj qytetarëve për të qëndruar në shtëpi dhe duke ruajtur shëndetin e gjithësecilit. Këto mesazhe janë pjesë e një projekti kombëtar të FSHF për të kthyer vëmendjen ndaj fëmijëve tanë dhe për ta parë futbollin si një mjet argëtimi dhe përkujdesjeje për ta. Njëherazi, FSHF i është bashkuar fushatës së FIFA-s dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë në luftë kundër virusit COVID-19, duke e përcjellë këtë fushatë në të gjitha hallkat e botës futbollistike shqiptare.
Në vendin tonë numri i të prekurve nga COVID-19 ka shkuar në 223, në mesin e të cilëve 44 të shëruar dhe 11 viktima.
Gjatë 24 orave të fundit u regjistruan 11 raste të reja nga 90 testime të kryera.