Ditën e sotme, nën drejtimin e kryetarit Enever Roshi, u zhvillua një mbledhje online e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë
Pjesë e mbledhjes ishin edhe zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli dhe Antoneta Njehrrena, drejtoreshë në këtë ministri.
Pjesëmarrësit zhvilluan një diskutim me pyetje përgjigje dhe më pas u miratuan në parim tre Akte Normative.
Akti i parë bën fjalë për përfshirjen e karantinimit si masë e rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit publik.
Akti i dytë flet për forcimin e rregullave ndaj COVID-19 dhe zbatimin e tyre.
Ndërsa Akti i tretë thekson rëndësinë e furnizimit me barna dhe pajisje mjekësore në të gjithë strukturat spitalore, gjatë gjithë periudhës së epidemisë.
Më konkretisht u shqyrtua:
1)Akti normativ nr. 2, datë 11.03.2020 të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15/2016, ‘Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive’”, qëllimi i të cilit është të përfshijë në masat e veçanta, që ndërmerren për parandalimin e sëmundjeve infektive, edhe vetëkarantinimin, si një masë shumë të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit publik, krahas masave që, aktualisht, janë parashikuar në legjislacionin në fuqi, sikurse janë masat e izolimit dhe të karantinës.
2) Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19” , qëllimi i të cilit është përcaktimi dhe forcimi i zbatimit të rregullave, të vendimeve, të urdhrave dhe të udhëzimeve të nxjerra nga organet kompetente, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.
3) Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 8, datë 24.03.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, qëllimi i të cilit është sigurimi pa ndërprerje, në të gjitha strukturat spitalore të furnizimit me barna dhe pajisje mjekësore dhe shërbimeve shëndetësore gjatë periudhës së përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, si dhe forcimi i masave për të siguruar zbatimin e rregullave, të vendimeve, të urdhrave dhe të udhëzimeve të nxjerra nga organet kompetente, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.
Aktualisht në vendin tonë, numri i të prekurve nga COVID-19 ka shkuar në 223.
Nga këto 44 pacientë janë shëruar ndërsa 11 kanë ndërruar jetë.
Në 24 orët e fundit, u shënuan 11 raste të reja nga 90 testime të kryera.