Teksa sytë e të gjithëve pa përjashtim këto ditë kanë qenë të fiksuar në ekranet e televizorëve apo celularëve për të mësuar të rejat më të fundit mbi përhapjen e koronavirusit në vend e në botë, të paktë janë ata që e kanë kuptuar se ndër pacientët e infektuar më keq është pikërisht ajo që ua jep këto informacione: media.
Prej thuajse tre javësh, vendi ynë i është nënshtruar një izolimi total për të frenuar sa më shumë që të jetë e mundur përhapjen e virusit agresiv, çka ka sjellë një ngrirje të të ardhurave për familjet e bizneset në vend.
Në “Top Channel” prej javësh kronikat e lajmeve theksojnë situatën e rëndë me të cilën po përballen mediat, ndërkohë që emisione si “Soiree”, “Portokalli” etj. janë ndërprerë.
Pjesa më e madhe e gazetarve print në vend kanë ndaluar botimin prej më shumë se 2 javësh, ndërkohë që burime për “iconstyle.al” konfirmojnë se në “RTSH”, pagat e disa gazetarëve janë pezulluar përkohësisht pas ndërprerjes së transmetimit të disa emisioneve, ndërsa në televizionin “Ora News” ka nisur reduktimi i pagave të disa punonjësve për të përballluar situatën.
Me një ritëm të tillë, ku qeveria shqiptare nuk ka parashikuar asnjë lloj mbështetjeje për median, kjo e fundit shumë shpejt mund të shkojë drejt një kolapsi total, në një kohë kur informacioni është i një rëndësie jetësore e po i shërben shqiptarëve brenda e jashtë vendit.
Vetë kryeministri Rama herë pas here në fjalimet e tij i bën thirrje medias të përhapë sa më shumë mesazhet e rëndësishme mbi masat e reja të ndërmarra, e megjithatë, po zgjedh të tregohet i verbër para problemeve që media po has në një kohë kaq kritike.
Në ditët e fundit nuk kanë munguar reagimet nga Unioni i Gazetarëve e Autoriteti i Medias Audiovizive që i kanë bërë thirrje qeverisë për të ndërhyrë me marrjen e masave për suport ekonomik për gaztearët e punonjësit e mediave, e megjithatë, thirrjet e tyre kanë përfunduar në vesh të shurdhër.
Një ndër shembujt më të qartë të mënyrës sesi shteti mund të ndihmojë median në një situatë të tillë është ai i Kandasë, ku kryeminsitri Justin Trudeau njoftoi se kishte përgatitur një paketë prej 30 milionë dollarësh për të shpenzuar në një fushatë ndërgjegjësuese për koronavirusin, të cilën do ta shpërndajë në mediat që janë në vështirësi, kjo krahas masave për lehtësim të taksave ndaj tyre.
Lidhur me krahasimet me vende të tilla të zhvilluara, kryeministri Rama shpesh herë ka reaguar me kritikën se buxheti i Shqipërisë nuk mund të krahasohet me atë të Amerikës, Kanadasë apo Gjermanisë, duke u fokusuar vetëm tek shifrat e duke refuzuar të shohë strategjitë, të hartuara nga ata që mund të quhen pa frikë ekspertët më të mirë të ekonomisë në botë.
Në mes të kësaj pandemie që ka mbërthyer botën mbarë, media duhet të jetë pikërisht një nga ato organe jetësore që duhet mbajtur gjallë dhe është detyrë e qeverisë të kujdeset për një gjë të tillë.
Një mbyllje e mediave në një emergjencë të tillë shëndetësore, mund të rezultojë në pasoja fatale për shoqërinë tonë, ku informacioni është me po aq rëndësi sa ushqimi i përditshëm./iconstyle.al