Europa është paralizuar nga goditja e COVID-19, ku mijëra njerëz po humbin jetën çdo ditë, teksa 2 shtetet europiane, Italia dhe Spanja, janë të parat në rang botëror për numrin e viktimave.
Singapori është një nga vendet që e ka menaxhuar më së miri situatën, duke e kufizuar përhapjen e virusit, teksa edhe “Deutsche Welle” i ka dedikuar një artikull, ku ndër të tjera e ka krahasuar me situatën në Europë.
Singapori ka pasur deri të premten 422 të infektuar dhe 2 viktima, ndërkohë që virusi i ri u shfaq aty pak pas festës kineze të Vitit të Ri.
Por, Singapori vendosin kufizimin e udhëtimeve me Kinën dhe madje “theu” këshillën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, se ndalimet e udhëtimeve në atë moment nuk ishin të nevojshme.
Singapori numëronte në mes të shkurtit më shumë se 80 raste, numrin më i lartë aso kohe jashtë Kinës, por veproi shpejt, duke izoluar të sëmurët dhe duke testuar secilin person me simptoma gripi dhe pneumonie.
Personat që kishin pasur kontakt u gjetën përmes ndihmës së “contact tracking” dhe u futën në karantinë.
Kjo metodë është zhvilluar gjatë epidemisë SARS në vitin 2003 dhe pati sukses: Në bazë të saj regjistroheshin me hollësi të gjitha të dhënat e kontaktit të personave që kishin hyrë në ndërtesa, të infektuarit mund të pyeteshin me saktësi, se ku kishin qëndruar më parë personat e sëmurë me cilin kishin pasur kontakt.
Më tej, DW shkruan se mund të thuhet, se suksesi i Singaporit në mbajtjen nën kontroll të virusit lidhet me katër faktorë: mbylljen e hershme të kufijve, ndjekjen rigoroze të kontaktimit, shumë teste dhe SARS-in si provë e përgjithshme gjenerale.
Falë këtyre masave atje vazhdon jeta publike normalisht: Restorantet, qendrat tregtare, shkollat, zyrat janë deri më sot të hapura.
I mungon Europës përvoja e SARS?
Europa nuk reagoi shpejt dhe në mënyrë efektive ndaj pandemisë që po përhapej, dhe kjo ishte pasojë e një arrogance eurocentriste dhe përpjekjeve të pakoordinuara për të mbrojtur firmat lokale.
Ndonëse krerët e shteteve dhe qeverive
kishin dijeni për virusin që në fund të dhjetorit, ai u injorua për një kohë të gjatë si “një problem aziatik”.
Gjithçka që Singapori e bëri ashtu si duhet – mbylljen e hershme të kufijve, teste të zgjeruara dhe ndjekjen e kontakteve për izolim-vendet europiane e bënë gabim.
Liria personale bie viktimë
Një ndjekje e kontakteve si në Singapor është e papërfytyrueshme në Europë dhe shansi për të zhvilluar diçka të përfafërt nuk u përdor, shkruan Deutsche Welle.
Në vend të kësaj qeveritë kanë marrë masat më të rrepta për lirinë personale që nga Lufta e Dytë Botërore, në vend që të identifikojnë kush është i infektuar dhe të izolojnë këta persona në mënyrë efektive.
Ende ka shumë pika kontakti që mundësojnë transmentimin e virusit, e nuk ke mundësi të identifikosh kush është i infektuar.
Si paraqitet e ardhmja ?
Kjo krizë nuk është vetëm krizë shëndetësore, por edhe e mënyrës se si veprojmë ne me të, që nga reagimi i vonuar deri tek efektet personale.
Pritshmëria ndaj krerëve politikë është që ata të sigurojnë si shëndetin ashtu edhe lirinë tonë.
Kur kjo krizë të kalojë duhet të analizojmë, se pse shkoi puna kaq larg dhe çfarë mund të mësojmë nga Singapori, mbyllet shkrimi në DW.