Italia po kalon periudhën e saj më të vështirë që pas Luftës së Dytë Botërore, pasi deri tani kanë humbur jetën mbi 10 mijë persona si pasojë e COVID-19 dhe janë infektuar 92,472 të tjerë.
Dy ditë më parë, Papa Françesku mbajti një ceremoni lutjeje për të gjithë në sheshin bosh të Katedrales në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku kreu bekimin e quajtur “Urbi et Orbi”, një lutje tradicionale që mbahet zakonisht për zgjedhjen e tij në fron, për Pashkë, si edhe për Krishtlindje.
Këtë të dielë Ati i Shenjtë ka mbajtur meshën në nder të viktimave të shkaktuara nga koronavirusi, duke e quajtur 29 marsin “E diela e Lotëve”, teksa pohoi se kjo e dielë po jetohej nga të gjithë në mes të urgjencës për shkak të situatës me koronavirusin.
“Unë mendoj për kaq shumë njerëz që qajnë, të izoluar, në karantinë, të moshuar vetëm, të shtruar në spital, njerëz në terapi intensive, prindër që shohin se nuk ka rrogë dhe nuk kanë mundësi që t’i japin fëmijëve për të ngrënë”, tha Papa ndër të tjera në fjalimin e tij.
Në Itali po ashtu, COVID-19 ka goditur edhe bluzat e bardha duke u marrë jetën më shumë se 40 personave nga personeli mjekësor, teksa shumë të tjerë janë infektuar.
Ditën e djeshme, 30 mjekë e infermierë shqiptarë u nisën drejt shtetit fqinj për tu shkuar në ndihmë kolegëve italianë në Bergamo dhe pagesa e tyre do bëhet nga qeveria shqiptar, teksa ky veprim është vlerësuar shumë nga Italia.