Pronares së një lokali në Tiranë i është pezulluar aktiviteti për 6 muaj.
Policia konstatoi se ky subjekt ishte gjobitur më parë me 100 mijë lekë për shkelje të masave të qeverisë ndaj COVID-19.
Lokali ndodhet në rrugën “Sadik Petrela”, ndërsa pronarja është shtetasja R.F.
Pavarësisht gjobës, ajo vazhdonte aktivitetin, duke shkelur kështu aktin normativ.
Që prej miratimit të aktit normativ, në total janë ndëshkuar 146 administratorë lokalesh.
Njoftimi i policisë
TIRANË
Përsëriti shkeljen e urdhrit për mbylljen e lokaleve, i pezullohet aktiviteti për 6 muaj.
Specialistët e Krimit Ekonomik në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në zbatim të pikës 7 të nenit 3 të Aktit Normativ nr. 3 datë 15.03.2020, i ndryshuar, kanë konstatuar një bar-kafe të hapur në rrugën “Sadik Petrela”, me pronare shtetasen R. F., e cila vazhdonte aktivitetin në kundërshtim me përcaktimin e këtij Akti.
Disa ditë më parë, ndaj pronarit të lokalit është vendosur masa administrative 100.000 lekë dhe për shkelje të përsëritur, iu vendos masa administrative e mbylljes së aktivitetit për një periudhë 6-mujore.
Që nga dalja e këtij Akti Normativ deri tani janë ndëshkuar 146 administratorë lokalesh, për shkelje të Aktit Normativ.
Vetëm pak ditë pas identifikimit të dy rasteve të para me COVID-19, kryeministri Edi Rama urdhëroi mbylljen e të gjitha lokaleve dhe restoranteve në vend.
Ai paralajmëroi se shkelësit e urdhërit do të gjobiten, si dhe do t’u pezullohet licenca në rast përsëritje.