Ditën e sotme ka shkuar në 186 numri i të prekurve nga COVID-19 në vendin tonë, pasi gjatë orëve të fundit janë testuar 102 persona, 12 prej të cilëve kanë rezultuar pozitivë, ndërsa në total janë kryer 1,246 teste.
Mes të infektuarve ishte edhe një mjeke nga Korça e cila ka rezultuar pozitive në testin e COVID-19.
Së fundmi, raportohet se mjekja ka patur kontakte me njerëz të shumtë dhe mund të ketë infektuar tetë persona, një pjesë e të cilëve njerëz të afërt të saj.
Sipas Ora News, të dyshuarve u janë marrë tamponët dhe janë nisur drejt Tiranës dhe në mesnatë ose nesër në mëngjes pritet të dalin rezultatet.
Sakaq, tek Spitali Infektiv janë shtruar 76 persona, 5 prej të cilëve ndodhen në terapi intensive, kurse pjesa tjetër ndodhet në pavion në gjendje të stabilizuar shëndetësore.
Harta e të prekurve tashmë është zgjerur edhe me qytetin e Pukës, ndërsa në total janë 31 të shëruar, mes të cilëve një mjek dhe një infermiere.
Ministria e Shëndetësisë përsërit thirrjet për qytetarët, që të telefonojnë në numrin 127 nëse kanë dyshime se janë prekur nga koronavirusi dhe mos të drejtohen menjëherë në spital.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 107 raste
– Durrës 11 raste
– Lushnje 4 raste
– Elbasan 5 raste
– Rrogozhinë 2 raste
– Fier 20 raste
– Kavajë 4 raste
– Korçë 12 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 4 raste
– Lezhë 4 raste
– Berat 1 rast
– Has 2 raste
– Krujë 1 rast
– Tropojë 2 raste
– Pukë 2 raste